Darda1

Kosova e ka gjetur zëvendësuesin adekuat të ish-kapitenit Edmond Azemi. Kosova e shpërbleu me titullin “Kapiten” Dardan Berishën, i cili kishte lënë Poloninë për vendlindjen e tij. Dhe 28-vjeçari bindi se me zemër e kishte zgjedhur Kosovën, së cilës i priu për mrekulli në fitoren e parë në arenën ndërkombëtare.

Ylli kosovar i shkaktoi vuajtje të mëdha Maqedonisë, ndërsa i kënaqi të mëdhenj e të vegjël në Kosovën e tij. Paralajmëroi se me zemër e shpirt do të vazhdojë t’i prijë ekipit të “Dardanëve” sepse në fund të fundit ai vetë është “Dardan!”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Edmond Azemi është pensionuar nga Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll. Mirëpo, tashmë është gjetur zëvendësuesi adekuat i basketbollistit legjendar, i cili fatkeqësisht nuk kishte mundësi t’i printe shumë gjatë ekipit përfaqësues në arenën ndërkombëtare për shkak se deri vonë, gati deri në pensionim të Azemit, FIBA nuk e kishte njohur Kosovën.

kosova-1

Në dallim prej Azemit, Dardan Berisha është shumë më fatlum. Në kulm të karrierës së tij Kosova është pranuar në FIBA dhe po merr pjesë në gara ndërkombëtare, të cilat mund të jenë të panjohura për shumë reprezentues kosovarë, por jo edhe për Berishën, i cili pati luajtur për Poloninë në kohën e izolimit të Kosovës, shkruan “Zëri”.

Posa u ndërkombëtarizua vendlindja e thirri, ndërsa Berisha i është përgjigjur pozitivisht, duke iu bashkuar Kosovës për të cilën vendosi ta lërë Poloninë.

dardan berisha

Dhe Kosova ia ktheu të mirën me të mirë. Ia besoi titullin e kapitenit, të cilin 28-vjeçari menjëherë ka nisur ta arsyetojë. Ai shumë shpejt u bë lider i vërtetë i ekipit verdhekaltër, të cilit për mrekulli i priu drejt fitores së parë të madhe.

Kosova të mërkurën mbrëma e mposhti Maqedoninë me rezultat 72:68, në ndeshjen e parë të Grupit C parakualifikuese për kupën e botës “Kina 2019”.

Kreator i këtij triumfi që i kënaqi gjithë kosovarët ishte pikërisht ylli i Sigal Prishtinës. Berisha ishte i papërmbajtshëm për maqedonasit, kurse për kosovarët dhuroi spektakël. Ai i shënoi rreth 30 për qind të pikëve, me të cilat Kosova e festoi fitoren e parë.

28 pikë, 6 kërcime, 4 asistime, 1 bllokadë dhe 1 top i rrëmbyer. Këto statistika e bën Berishën lojtar të ndeshjes dhe një përkrahës të madh të bashkëlojtarëve të tij.

Për të foli gjithë Kosova, por u lavdërua edhe nga FIBA. Por, kualitetin e tij askush nuk e di më mirë sesa ata që pësuan pikërisht nga Berisha – maqedonasit. “Dardan Berisha pati paraqitje fantastike. Ai është një lojtar fantastik dhe një lider i vërtetë. Këtë e dëshmoi sërish kundër nesh”, ka thënë trajneri i Maqedonisë humbëse, Jordancho Davidkov.

Derisa përzgjedhësi maqedonas përjetoi “tmerrin” nga Berisha, trajneri amerikan i  Kosovës Brad Greenberg e ka shijuar në maksimum kualitetin e tij. “Për mua ka qenë një eksperiencë speciale që ta shoh Dardan Berishën duke luajtur në këtë nivel që ai e bëri në këtë ndeshje”, ka deklaruar Greenbergu.

Ndërsa, vetë Berisha ndihet krenar që arriti ta ndihmojë Kosovën drejt fitores së shumëpritur nga tifozët “Dardanët”, të cilëve u është kthyer shpresa se vendi i tyre do të ketë të ardhme të denjë në basketbollin ndërkombëtar, shpresë kjo e cila gati u kishte humbur në vitin e kaluar kur Kosova pësonte keq në ndeshjet kualifikuese për “EuroBasket”.

“Unë jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj që përjetuam të gjithë. Ka qenë një ëndërr për të gjithë ne që të luajmë në këtë nivel. Unë mund të them se kjo është më shumë sesa një fitore”, ka deklaruar Berisha.

 

“E shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë ata që besuan në ne, e posaçërisht i falënderoj tifozët ‘Dardanët’. Krenohem me atë që treguam dhe besoj se do të vazhdojmë me fitore”, ka potencuar kapiteni i ri i Kosovës, i cili pushtoi zemrat e tifozerisë dardane.

 

Tash e disa vite pejani vlerësohet si basketbollisti më i mirë kosovar. Nga një yll i Pejës në një yll të Sigal Prishtinës. Një yll jo vetëm në Superligën e Kosovës, por edhe në Ligën Ballkanike, transmeton “Zëri.info”.

 

Një lojtar që e deshën dhe e shijuan edhe klube të njohura të huaja, si: Caceres Ciudad del Baloncesto, CB Trujillo, Polonia Warszawa, Anwil Wloclawek, Cibona Zagreb, KKS Pro-Basket Kutno dhe Juvecaserta Basket.

 

Por, Kosova është më fatlumja që e ka në radhët e veta, normalisht nëse Berisha vazhdon t’i prijë me përgjegjësi dhe me zemër ekipit të vendit të tij, t’i kontribuojë disiplinës në ekip, njësoj siç diti të bëjë karshi Maqedonisë. Në fund të fundit, ai është vetë “Dardan!”.