Dallku: Janë hapur çerdhet, pse mos të lejohen tifozët në stadiume

Topat e futbollit kosovar do të rrokullisen që nga dita e nesërme (e martë) kur do të zhvillohet ndeshja e parë pas pushimit të dhunshëm nga mesi i muajit marsit për shkak të pandemisë COVID-19.

Sfida e parë post-pandemi do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në mes FC Prishtinës dhe Drenicës, duel që i takon gjysmëfinales së parë të Digital Kupës së Kosovës.

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku në një intervistë për “Zeri” ka thënë se ndeshja në fjalë nuk do të jetë e lehtë.

“Do të jetë një takim i vështirë. Drenica është një skuadër për t’u vlerësuar dhe të cilën e respektojmë. Mbetet të shihet se si do të jetë gjendja fizike e të dyja skuadrave pasi që dihet se nuk kemi pasur kohë të mjaftueshëm për t’u përgatitur. Prishtina e ka për detyrë që ta fitojë ndeshjen në mënyrë që të shkojmë më të qetë ndeshjen e kthimit”, ka thënë Armend Dallku.

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)

Ish-futbollisti i mirënjohur që ka luajtur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë ndër të tjera deklaron se nuk ka mungesa për këtë takim.

“Mungesa nuk kemi për ndeshjen ndaj Drenicës, por mbetet për t’u parë edhe në stërvitjen e sotme se si është gjendja e lojtarëve”, shtoi Dallku.

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)

Kujtojmë se dueli në fjalë dhe sfidat e tjera të mbetura në Digitalb Kupë dhe Superligë, do të zhvillohen pa tifozë.

Dallku mbetet me shpresë se shumë shpejt tifozët do të rikthehen në tribuna.

“Dihet se futbolli luhet për tifozë dhe ata i japin shpirt ndeshjes. Edhe unë kam luajtur në stadiume boshe dhe mund të them se është ndjenë e keqe. Shpresojë shumë se do të rikthehen tifozët pasi që dihet se tashmë janë hapur edhe çerdhet edhe gastronomia dhe nuk më duket e kuptimtë që mos të lejohen tifozët në stadiume”, përfundoi Armend Dallku.

Prishtina – Drenica luhet të martën duke filluar nga ora 18:00.