“Dallimi mes Shqipërisë dhe skuadrave tjera”

Humbja në sekondat e fundit nuk e ka demoralizuar ekipin, i cili ka arritur të gjejë forcën të reagojë për të fituar një ndeshje po kaq të rëndësishme në Islandë.

Në analizën pas këtyre dy ndeshjeve, trajneri Alban Bushi shprehet i kënaqur nga arritjet.

“Ishin dy ndeshjet e para jashtë dhe isha në merak si do të reagonim, por reaguam shumë mirë. Nuk duhej të ishim mundur ndeshjen e parë, por tre pikë në dy ndeshje më kënaqin. Në Islandë dominuam gjithë ndeshjen. Ekipi ka forcë dhe lojtarë kandidatë për ekipin e parë”, tha Bushi, shkruan Top Channel.

Bushi më pas, edhe pse thekson se skuadra ka elementë më të rinj në moshë se ekipet kundërshtare, është i bindur se mund të arrijë rezultate edhe më të mira me këta lojtarë.

“Ne nuk pretendojmë vendin e parë, por synojmë fitore në çdo ndeshje. Nuk duhet të shikojmë shumë larg, por të mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi lojtarë më të vegjël se kundërshtarët dhe mendoj se do të jenë më të rritur sezonin e ardhshëm. Duhet t’i mbaj lojtarët të karikuar në mënyrë që të mos gabojmë siç bëmë në Irlandë. Ndaj Islandës dhe Irlandës në Tiranë janë ndeshje vendimtare për të na treguar nëse do të kapim vendin e dytë ose jo”, deklaroi Bushi.