Cuculi: Jam profesionist, maksimumin për Maqedoninë

Në sezonin 2014-2015 të Kategorisë Superiore ai u evidentua si një nga mbrojtësit më të mirë të skuadrës së Partizanit. Ka lindur në Kërçovë në një familje shqiptare por Ardian Cuculi përfaqëson Kombëtaren e Maqedonisë, e cila është shortuar bashkë me Shqipërinë në Grupin G të eleminatoreve të Botërorit 2018. 28-vjeçari që është rikthyer në vendlindje për të nisur një aventurë të re me Shkëndijën thekson se sfida mes kuqezinjve dhe Maqedonisë është një shans i mirë për afrimin e dy vendeve.

“Kemi luajtur vetëm ndeshje miqësore dhe gjëja e parë që më shkoi në mendje është se ky është një shans i mirë që nëpërmjet sportit të tregojmë edhe fqinjësinë e mirë që ekziston mes dy shteteve”, tha Cuculi për Supersport.

Gjithsesi, mbrojtësi me kombësi shqiptare e pranon se Shqipëria është e favorizuar në këtë duel.

“Realisht Shqipëria është në nivel më të lartë se Maqedonia sepse ka një skuadër të ndërtuar shumë më herët. Maqedonia po punon me lojtarët e rinj që do të jenë një bazë e mirë për eleminatoret e Botërorit 2018″.

Cuculi është pjesë e Kombëtares së Maqedonisë dhe në përballjen e shtatorit zemra e tij mund të jetë e ndarë në dy shtete, megjithatë mbrojtësi shqiptar e shikon këtë sfidë si profesionist.

“Ne jemi profesionistë dhe duam të japim maksimumin për kombëtaren apo ekipin ku luajmë. Në futboll ndjenjat nuk duhet të bëjnë pjesë”.

Ndeshjen e fundit miqësore që Shqipëria e luajti në Prilep, koret raciste në drejtim të shqiptarëve nuk munguan, por Cuculi thekson se tashmë duhet të kthejmë faqe dhe futbollin ta kthejmë në një urë lidhëse mes dy vendeve.

“Nuk besoj se do të ketë raste të tilla. Duhet të punohet nga të gjitha palët për të shmangur ngjarjet e pakëndshme dhe të pahijshme. Duhet ta shikojmë si një festë të madhe për të dyja kombëtaret”.