Crvena Zvezda niset drejt Kosovës për ndeshje me Trepçën ilegale

Klubi i futbollit Crvena Zvezda, të martën rreth orës 16:00 është nisur nga Beogradi për në Kosovë, ku të mërkurën është paraparë të luhet ndeshja e Kupës së Serbisë me të ashtuquajturën Trepça nga Mitrovica, raporton Koha Ditore.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi serb në Facebook.

Federata e Futbollit e Kosovës ka ftuar Policinë e Kosovës në disa raste të ndalojë këtë ndeshje, pasi është ilegale, ndërkohë Policia në disa raste ka thënë se po shqyrton rastin.

Gazeta i ka shkruar Policisë të hënën e të martën për këtë çështje, por s’ka marrë përgjigje.

FFK-ja ka kërkuar edhe ndihmën e UEFA-s e FIFA-s për të ndalur aktivitetet ilegale të Serbisë në Kosovë, por s’ka hasur në mirëkuptim. Madje, UEFA i ka kërkuar FFK-së të lejojë këtë ndeshje me arsyetimin se ka bazë në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për Sport (CAS).