Conte po bën gati një sulm të frikshëm tek Interi

Ky skenar është zbuluar sot nga “Corriere dello Sport” dhe lë të kuptohet se Interi po i bën planet pa Lautaro Martinez, por me plot tre zëvendësues të tij, të cilët do ta blindonin sulmin e udhëhequr nga Lukaku. Gjithçka sugjeron që bomberi belg është i destinuar të jetë siguria e vetme për sulmin zikaltër, përpara sezonit të ardhshëm.

Lautaro, në fakt, është më shumë se kurrë i joshur nga Barcelona. Sanchez, pasi t’i skadojë huazimi, do të kthehet te Manchester United. Dhe së fundi, pasi t’i rinovohet kontrata deri në vitin 2021, “adoleshenti” Esposito do të shkojë në ndonjë ekip tjetër për t’i forcuar kockat. Nën dritën e situatës, është e pashmangshme që Marotta dhe Ausilio të mos eksplorojnë në treg.

Dhe kështu, emri i parë është Mertens, madje belgu në të vërtetë duket se është një hap larg. Ditët e fundit ka pasur edhe bisedime me përfaqësuesit e lojtarit. Mbeten disa çështje për t’u zgjidhur, që kanë të bëjnë me koston e nënshkrimit, duke pasur parasysh që kontrata e tij do të skadojë, dhe shpërblimet për t’u shtuar në tarifën fikse të pagës, prej afro 5 milionë euro në vit. Napoli dhe, mbi të gjitha, Chelsea nuk janë dorëzuar plotësisht…

Me Mertens, pra, Conte do të kishte tashmë partnerin e duhur për të mbështetur Lukaku. Ky duet do të sillte te zikaltrit vetëm mirëkuptimin, që tashmë e ka ndërtuar e sprovuar te kombëtarja belge. Sidoqoftë, është e qartë se vetëm ata të dy për sulmin nuk do të ishin mjaftueshëm për të qenë konkurrues në nivelet më të larta. Trajneri nga Lecce tashmë e ka bërë të qartë se, këtë herë, dëshiron të ketë në dispozicion 4 sulmues të vërtetë. Me domosdoshmërinë që të ketë patjetër një zëvendësues për Lukaku. Zëvendësimi ideal për Lautaro, si dhe goditja e shkëlqyeshme e sulmit, mund të jetë Werner, i cili nuk i ka ato karakteristika, në veçanti aftësinë për të luajtur pas portës.

Por, gjermani është akoma një sulmues në rritje dominuese, në gjendje të shënojë shumë, por edhe të punojë për ekipin, i aftë në gjetjen e hapësirave dhe të sulmojë thellësinë. Për Werner, i cili do të jetë një nga xhevahirët e merkatos së ardhshme europian, në radhën e parë për ta rrëmbyer qëndron Liverpool i Klopp. Një klauzolë është përfshirë në kontratën e tij. Për shembull, çmimi i largimit mund të zbriste nga 60 në 50 milionë €, nëse Leipzig nuk do të fitonte kampionatin. Kujdes, gjithashtu, për afatin, pasi klauzola nuk do të ishte më e vlefshme pas mesit të qershorit.

Lukaku, Mertens dhe Werner… Po sulmuesi i katërt, për të blinduar këtë repart të Conte? Me karakteristikat e pëlqyeshme, Interi ka ndjekur prej kohësh Dembelè të Lyon, i treti në klasifikimin e golashënuesve të Ligue 1, me 16 “rrjeta”, përkundër 18 të Mbappè dhe Ben Yedder. Problemi është se “dyqani” i presidentit Aulas është historikisht shumë i kushtueshëm. Dhe, në fakt, Dembelè, duke qenë në shitje, tashmë është shoqëruar me çmimin përkatës, që nuk do të jetë më pak se 40 milionë.

Shkurt, çiftimi me Werner nuk duket një hipotezë kaq e vlefshme. Prandaj është më mirë të synohet një rast tjetër veror, përkatësisht Edinson Cavani. Edhe uruguajani, në fakt, ka një kontratë të skaduar, ndërsa bisedimet me PSG për rinovim mbeten të hapura, por jo aq shpresëdhënës.