Clippers kthehet te fitorja

Pas dy humbjesh radhazi Los Angeles Clippers rigjeti shijen fitores në NBA. J.J Reddick me 26 pikë dhe DeAndre Jordan me 20 pikë dhe 17 rebound ndihmuan skuadrën e trajnerit Doc Rivers të kalonte me rezultatin 89-76 Minesotta Timberwolves në Staples Center. Ky ishte suksesi i 41-të për La Clippers në 64 ndeshje dhe me këtë fitore formacioni nga Los Angelesi pozicionohet në vendin 4 të konferencës së Perëndimit.

Në sfidat e tjera spikat suksesi i 50-të sezonal i Atlanta Hawks. Ekipi nga Georgia falë një loje fantastike në grup theu lehtësisht Sacramento Kings në Philips Arena me rezultatin 130-105. Plot 6 basketbollistë të Atlantës në këtë përballje realizuan një kuotë pikësh me dyshifra, ndërkohë që pikëshënuesi më i mirë mbi parket rezultoi Rudy Gay i Sacramentos me 23 pikë gjithsej.

Vijon serinë e fitoreve dhe Golden State Warriors. Stephen Curry me 36 pikë 5 asiste dhe 6 rebound udhëhoqi formacionin nga Oakland drejt suksesit me shifrat 98-80 ndaj Phoenix Suns në Arizona. Një Anthony Davis në versionin e tij më të mirë ndihmoi New Orleans të koleksiononte fitoren e 2-të radhazi dhe të 35-tën sezonale. Ylli i Pelicans realizoi gjithsej 43 pikë ndërkohë që ishte përcaktues edhe me 6 asiste e 10 rebound në triumfin e New Orleans përballë Millwaukee-it 114-103.