Challandes mendon pensionimin, FFK-ja vazhdimin e bashkëpunimit

Bernard Challandes është 67-vjeç. Por, qysh tani ka filluar ta mendojë pensionimin. Ai thotë se kualifikimi në “Euro 2020” me Kosovën është shansi i tij i fundit në karrierë. Por, në Federatën e Futbollit të Kosovës e vlerësojnë lartë strategun zviceran. Në FFK as që po e mendojnë pensionimin e Challandesit, me të cilin planifikojnë vazhdim të kontratës kur skadon kontrata aktuale. Gazeta Express merr vesh nga burimet e afërta me zhvillimet se Challandes fillimisht kishte pagë prej 25 mijë eurosh. Kurse tani ajo është afro 40 mijë euro.   

Bernard Challandes para se ta marrte drejtimin e Kombëtares së Kosovës pati qenë përzgjedhës i Kombëtares së Armenisë e po ashtu i pati drejtuar ekipet U17, U18 dhe U21 të Zvicrës dhe disa klube zvicerane. Mirëpo, aventura e tij me “Dardanët” tashmë është më e mira në karrierën e tij.

13 ndeshje pa humbje me Kosovën kanë bërë që strategu zviceran në “pleqëri” të bëhet mjaft i respektuar në arenën ndërkombëtare.

Ndoshta më shumë sesa vet kosovarët Challandes dëshiron ta kualifikojë Kosovën në Kampionatin Evropian sepse kjo do të ishte diçka fantastike për të dhe se do ta mbyllte me një sukses fantastik karrierën e tij, raporton Gazeta Express.

Nën drejtimin e Challandesit Kosova i ka dy rrugë çel drejt kualifikimit në Evropianë. Eshtë e treta në grupin kualifikues me vetëm një pikë sesa Anglia dhe Cekia që i zënë dy vendet e para. Kosova me pesë pikë po i rivalizon anglezët dhe çekët, kurse Bullgaria dhe Mali i Zi i kanë humbur gjasat.

Edhe nëse nuk arrin përmes kualifikimeve të rregullta, Kosova do të provojë të shkojë në Evropian përmes Ligës së Kombeve. Ky opsion vjen si rezultat i fitores së Kosovës në Grupin A të Ligës D. Fituesi i kësaj lige do të shkojë në “Euro 2020”. Kosova në gjysmëfinale pritet të takohet me Maqedoninë, dhe në rast se fiton, atëherë do të luajë kundër fituesit të çiftit Bjellorusia – Gjeorgjia. Fituesi i dy gjysmëfinaleve të Ligës D të Kombeve, Kosova – Maqedonia dhe Bjellorusia Gjeorgjia, kualifikohet në “Euro 2020”.

Challandes asnjëherë në karrierën e tij nuk e ka parë vetën më afër një Evropiani sesa tani me Kosovën. Ai dëshiron ta prek Evropianin dhe ta mbyll karrierën me një sukses të jashtëzakonshëm për të.

“Pastaj unë do të jem 70 vjeç, andaj pjesëmarrja në Kampionatin Evropian me Kosovën është shansi im i fundit”, citohet Challandes të ketë thënë nga “Ran.de”.

Gazeta Express shkruan se Challandes është një “dhuratë” që Fadil Vokrri i ndjerë ia ka lënë Kosovës. Ish presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e kishte sjell trajnerin zviceran me besim të madh se është njeriu më ideal për ta drejtuar skuadrën verdh e kaltër, kurse në opinion jo të gjithë ishin optimist.

Challandes kishte nënshkruar kontratë katërvjeçare me FFK-në. Burimet e Gazetës Express, të afërta me zhvillimet tregojnë se nga marsi i vitit 2018 deri në qershor të vitit 2018 paga e tij ishte rreth 25 mijë euro në muaj. Kurse, po të njëjtat burime thonë se nga qershori i vitit 2018 Challandes kishte nënshkruar kontratë të re me pagë prej afro 40 mijë eurosh.

Për detaje të tilla financiare natyrisht që nuk flasin institucionet sportive, në këtë rast FFK-ja, e cila paralajmëron se kur të vjen koha do t’i ofrojë mundësi vazhdimi të kontratës Challandesit edhe nëse Kosova nuk mund të shkojë në Evropian.

FFK-ja e vlerëson lartë strategun zviceran të cilin dëshiron ta shohë gjatë në krye të Kombëtares së Kosovës. Shtëpia e futbollit kosovar as që e mendon pensionimin e tij. “Ne kemi kontratë katërvjeçare me Challandesin dhe natyrisht se planifikojmë ta vazhdojmë kontratën kur të vjen koha sepse jemi shumë të kënaqur. Challandes është një personalitet shumë i mirë, një profesionist i vërtetë dhe një punëtor shumë i madh. Një meritor për rezultatet tona. Prandaj ne e mendojmë vazhdimin e bashkëpunimit, me pëlqimin e tij”, deklaroi për Gazetën Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Bernard Challandes ndihet shumë mirë në mesin e “Dardanëve” me të cilët po befason në arenën ndërkombëtare vetëm tri vjet pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Ai e pati zëvendësuar Albert Bunjakin.