Çfarë thoshte Mimoza Kusari-Lila në fushatën elektorale për Vëllaznimin?

Vëllaznimi është rikthyer në Ligën e Parë dhe kjo është një katastrofë për qytetin e Gjakovës. Pyetjes se i kujt është faji, shumica e gjakovarëve po i përgjigjen njëzëri: Mimoza Kusari-Lila.

Kjo për shkak të premtimeve të mëdha që i pati dhënë Kusari-Lila në fushatën elektorale, duke i premtuar tifozët se ai që është gjithçka për ta, klubi kuqezi, do ta kthejë namin e vjetër për të qenë pretendent për tituj.

Në edicionin e parë të Vëllaznimit në elitë me Kusari-Lilën në pushtet, skuadra kuqezi ishte ndër më të dobëtat ekonomikisht në Kosovë. Kuvendi Komunal dhe kryesia e klubit luanin ‘ping-pong’ me fajtorin e gjendjes së mjerueshme, duke e gjuajtur ‘topin’ herë andej e herë këtej. Prodhimi i kësaj neglizhence është Liga e Parë.

Tifozët tani kërkojnë përgjegjësi, por ajo që iu vihej atyre pas në fushatë elektorale duke e premtuar një Vëllaznim të madh, struket në kolltuqet e Kuvendit Komunal të Gjakovës, duke e larguar vëmendjen përmes postimeve totalisht ‘out’ në Facebook.

Gazeta Olle tentoi të marrë një prononcim nga Kusari-Lila, por kontakti me “zonjën e hekurt” ishte i pamundur. Mbase ka qenë duke i hartuar premtimet e fushatës së ardhshme për tifozët e Vëllaznimit, të cilat për ironi të fatit mund të kenë përfundim të njëjtë, vetëm se kësaj radhe rënien në Ligën e Dytë.