Çertifikohen 23 trajnerë

Pas 12 ditësh ligjërata teorike dhe praktikë, të mërkurën mbrëma janë çertifikuar 23 trajnerë të atletikës, në kursin për trajnimin e trajnerëve, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Trajnerëve iu ligjëruan ekspertët ndërkombëtarë nga Sllovenia z. Bostjan Bradesko dhe z. Robi Kreft.

Të gjithë vijuesit i janë nënshtruar të mërkurën edhe testit teorik dhe atij praktik. Ligjëratat u mbajtën në Hotel Sirius dhe Kolegjin Universi në Bardhosh.

Presidenti i KOK-ut, z. Besim Hasani përgëzoi vijuesit e kursit, duke iu thënë se KOK-u do të organizojë edhe kurse të tilla, ndërsa falënderoi ekspertët nga Sllovenia, të cilët sollën përvojën e tyre tek trajnerët tanë.

besim hasani

Ligjëruesi z. Bradesko, u shpreh i lumtur që iu dha mundësia të ligjërojë në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur me njohuritë që kanë marrë trajnerët këtu. Vërtetë jam besuar me ato që kanë treguar. Këta trajnerë kanë të ardhme të ndritur. Shpresoj të vij sërish në Kosovë për të ligjëruar”, tha z. Bostjan Bradesko.

Atleti që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike RIO 2016, z. Musa Hajdari, falënderoi KOK-un për organizimin e një kursi të tillë.

“Vërtetë kemi mësuar gjëra të reja, për të cilat kemi menduar se i dimë. Ligjëruesit sollën përvojën e tyre, e cila do të na ndihmojë për të ardhmen”, deklaroi z. Hajdari.

Ky ishte kursi i shtatë për trajnerë i organizuar këtë vit, kurse deri në fund të vitit do të organizohen edhe katër kurse të tilla.