Ceremonia e KOK-ut me laureatët dhe deklaratat (FOTO)

Komiteti Olimpik i Kosovës për herë të parë ka organizuar ceremoninë e zgjedhjes së laureatëve të vitit 2016.

Dy çmimet kryesore shkuan për medalisten e artë në Lojërat Olimpike “RIO 2016”, xhudisten Majlinda Kelmendi, dhe fituesin e medaljes së bronztë në kampionatin botëror të karatesë, Herolind Nishevci.

20170222_211326

Kelmendi u shpreh falënderuese për shpërblimin dhe organizimin e bërë nga KOK-u.

“Faleminderit KOK-ut që ka organizuar këtë ceremoni, kjo tregon se kemi pasur çfarë të festojmë, medaljen e artë… Faleminderit edhe kryeministrit Isa Mustafa. Dua të falënderojë trajnerin tim Driton Kuka, pa të cilin nuk do të isha këtu ku jam dhe ajo që jam. Zoti e bekoftë Driton Kukën”, tha ndër të tjera heroina jonë, Majlinda Kelmendi, e cila u përcoll me duartrokitje të shumta.

Ajo pranoi çmimin nga presidenti i KOK-ut, z.Besim Hasani dhe kryeministri i Kosovës, z.Isa Mustafa.

“Në vitin 2016 kam pasur suksese, por në 2017 synoj të arrijë edhe suksese tjera”, u shpreh Nishevci, që çmimin ia ndau kryeministri Mustafa.

20170222_210939

Me një fjalë rasti të pranishmëve në fillim të ceremonisë iu drejtua presidenti Besim Hasani, që përgëzoi gjithë sportistët që bënë vendin tonë krenarë.

“Jo rastësisht zgjodhëm këtë datë, që përkon me përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës për ta organizuar këtë ceremoni. Në emër të KOK-ut përshëndes praninë e kryeministrit Isa Mustafa. Më lejoni të shpreh konsideratën e lartë dhe përkushtimin tuaj në sport para dhe pas LO 2016 dhe përkushtimin tuaj të tashëm në insfrastrukturën sportive. Në fund dua t’iu kthehem sportistëve, ju jeni krenaria e Kosovës. Ju na bëtë të gjithëve krenarë, na bëtë krenarë përgjithmonë, ju jeni heronjtë tanë, Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha mes tjerash, Hasani.

20170222_202328

KOK-u ndau edhe shumë shpërblime tjera. Trajneri i xhudos, Driton Kuka u shpërblye me çmimin e trajnerit më të mirë.

“Faleminderit KOK-ut për një organizim kaq të bukur më keni befasuar. 2016 me shumë medalje, suksese, kam punuar shumë, kam ëndërruar shumë që një ditë të fitojmë medaljen e artë”, tha Kuka.

20170222_210457

Me çmime speciale u nderuan kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, për kontributin e dhënë në ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, dhe Shqipe Zogiani, trajnere e Përfaqësueses së Kosovës në karate. “Ky çmim ka peshë të madhe sepse vjen nga juria që përbëhet nga sportistë dhe ish-sportistë dhe gazetarë”, u shpreh numri një i futbollit kosovar.

20170222_205322

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve fitoi çmimin e më të suksesshmës gjatë vitit që lamë pas, kurse i njëjti shpërblim por në konkurrencën e femrave shkoi për Kosovën U-18 në volejboll për femra.

Karatisti Orges Arifi u nderua me çmimin e sportistit më të mirë të ri, kurse çmimi sportistja më e mirë iu takoi xhudistes Distria Krasniqi dhe boksieres, Donjeta Sadiku.

Manifestimi u mbajtë në Hotel Emerald në Prishtinë, në prani të shumë mysafirëve nga arena e sportit .

Ceremonia nisi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Më pas për mysafirët u lëshua një reportazh për vitin 2016, ku në theks të vacant ishte debutimi i Kosovës në LO “RIO 2016” dhe medalja e parë e artë që iu soll vendit tonë nga Majlinda Kelmendi. Nuk munguan edhe ngjarjet tjera të organizuara nga KOK, dhe ardhja e shumë mysafirëve të lartë që vizituan vendin tonë.  Pas ceremonisë u shtrua darkë për të pranishmit. /Gazeta Olle