Celina nuk i frikësohet Guardiolës

Xherdan Shaqiri kishte përvojë të keqe me Pep Guardiolën. Pasi e pati marr drejtimin e Bayern Munichut, ish trajneri i Barcelonës assesi nuk ia besonte një vend në ekipin e titullarëve yllit kosovar, ani pse shkëlqente dhe konsiderohej si një lojtar me një të ardhme superiore.

Dhe, kjo e pati shtyrë Shaqirin të largohet nga gjiganti gjerman në drejtim të Interit, ku po ashtu nuk e gjeti vetën, dhe përfundoi në Stoke City.

Përkundër kësaj përvoje jo të mirë të bashkëkombësit të tij me Guardiolën, Bersant Celina po e pret me optimizëm trajnerin spanjoll në Manchester City, të cilin ekip do ta drejtojë posa ta kryejë misionin me Bayernin.

Reprezentuesi i ri i Kosovës veç sa ka nis të thirret në skuadrën e parë të Cityt nga ekipi i të rinjve, ndërsa të shtunën debutoi në Premierligë me një asistim. Kur është pyetur se si po e pret trajnerin e ri, Pep Guardiolën, Celina është përgjigjur: “Nëse unë paraqitem mirë gjatë këtij sezoni, atëherë sigurisht se ai do të më dojë mua”. Njëherësh, Celina nuk është penduar që nuk u huazua në ndonjë ekip tjetër gjatë dimrit.