Cana kërkon vazhdimësi

Lorik Cana i është gëzuar fitores me rezultat të thellë, 4:0 ndaj Empolit të Elseid Hysajt. Futbollisti kosovar luajti gjatë gjithë ndeshjes, bashkë me portierin Etrit Berisha, duke shfaqur siguri.

Dhe, gjakovari mendon se Lazio e ka ndërtuar një ekip stabil, i cili po i radhit sukseset një pas një, duke u ngritur madje në pozitën e dytë në Serie A.

“Ne u përballëm me një skuadër të fortë si Empoli, i cili po luan mirë në kampionat. E kemi një ekip të mirë, kualitativ, dhe cilido lojtar që futet në fushë, e jep gjithmonë maksimumin për skuadrën”, deklaroi Cana për “Lazio Style Radio”. Në fund, ai foli edhe për tifozët. “Janë mjaft të rëndësishëm, dhe është ndjenjë e mirë t’i shohësh aq shumë të lidhur me skuadrën. Duhet të vazhdojmë kështu”, përfundoi kapiteni i Kombëtares shqiptare.