Cana ka disa oferta konkrete

Franca, Anglia dhe Gjermania. Destinacioni i ri i Lorik Canës ndahet midis këtyre tre kampionateve më të rëndësishme në Evropë.

Është portali italian Citaceleste.it i afërt me Lazion, shkruan se në drejtim të kapitenit të Kombëtares ka oferta interesante nga Franca, Anglia dhe Gjermani.

“Janë tre kampionate të rëndësishme, në të cilët lidershipi i lojtarit dhe stili i tij i lojës është i kërkuar. Sidomos nga Premier po vijnë kontakte më konkrete. Cana është duke kërkuar të kuptojë se cili mund të jetë destinacioni i tij më i mirë nga ana ekonomike, por edhe si projekte. Dëshiron të ndihet akoma një lojtar i rëndësishëm, një lider i dhomës së zhveshjes”, shkruan Citaceleste.it.

Loriku nuk është më në planet e trajnerit lacial Stefano Pioli. Cana ka luajtur në Francë, Angli, Turqi dhe Itali dhe një rikthim në ishullin e “Tre luanëve” do të ishte një aventurë e bukur.

Gjithsesi, nga destinacioni përfundimtar i kapitenit mungojnë vetëm gjashtë ditë.