Cana: Ju zbulojë tre projektet e mëdha të Vëllaznimit

Agim Cana ka zbarkuar në Gjakovë me projekte të mëdha dhe serioze.

Ish-futbollisti i njohur kosovar e mori në dorë muajin e kaluar Vëllaznimin dhe “dora” e tij u vërejt menjëherë pasi Kuqezinjtë u përforcuan me futbollistë cilësorë dhe ndërkohë i shleu krejt borxhet ndaj lojtarëve që luajtën në vjeshtë, duke e rikthyer entuziazmin në qytetin nga Rrafshi i Dukagjinit.

Synon privatizimin e klubit

Mirëpo, kjo nuk është e tëra. Cana, që është babai i legjendës shqiptare të futbollit, Lorikut, në kokën e tij ka plane dhe projekte afatgjate me klubin gjakovar.
Ai ia ka vënë përpara vetes tri projekte gjigante në Gjakovë, të cilat synon t’i realizojë gjatë viteve të ardhshme.

Gjithsesi, për t’i jetësuar këto projekte i nevojitet ndihma dhe përkrahja. Hapi i parë është privatizimi i klubit e më pas edhe ndërtimi i stadiumit të ri dhe akademia e klubit.

“Kemi biseduar dhe do të bisedojmë përsëri me kryetarin e Komunës Ardian Gjinin rreth privatizimit të klubit, i cili mund të bëhet brenda një viti apo një viti e gjysmë. Të shohim se si do të bëhet”, theksoi fillimisht Cana senior për “Zërin”.

Kosova, djep i talenteve

Cana po mendon më larg dhe një akademi të klubit e sheh si të domosdoshme. Ai beson se nga Gjakova, por edhe nga qytetet e tjera, mund të dalin lojtarë të mëdhenj, pasi talenti i të rinjve kosovarë është me të lindur, por që duhet të punohet me ta sa më shumë.

“Unë kam shumë projekte, por afatgjate, jo sot për nesër. Projekte 5-vjeçare, 10-vjeçare dhe qëllimi im principal është të punoj me të rinjtë që të prodhojmë lojtarë të rinj, të formojmë lojtarë të rinj, sepse Kosova është djep i talenteve. Synojmë ta formojmë akademinë e klubit”, vazhdoi ai.

Një stadium për Gjakovën

Një tjetër ide dhe plan i Canës është ndërtimi i një stadiumi të ri të futbollit në Gjakovë.

Sipas tij, kjo është më se e domosdoshme pasi tregon se stadiumin aktual të qytetit e ka gjetur në gjendje të mjerueshme.

“Gjakova ka nevojë për një stadium sikur i sëmuri për ilaçe. Stadiumi edhe dy vjet do të rrënohet ky që është, më mirë po të mos kishte qenë fare. Por, duhet t’ia dimë kimetin dhe të mirat e këtij stadiumi, një stadium legjendar, një stadium historik. Pas dy vjetëve fillon të ndërtohet stadiumi i ri në Gjakovë”, tregon ish-futbollisti i FC Prishtinës.

Ai ua ka hapur dyert biznesmenëve që janë të interesuar të jenë pjesë e projektit të nisur nga ai.

“Klubi i ka dyert e hapura për ata që e duan klubin. Klubi nuk është as imi, as i askujt. Kushdo që është i interesuar të na bashkohet kur klubi të bëhet shoqëri aksionare është i mirëseardhur. Pas një viti e njoh më mirë futbollin, i njoh pak më mirë rrethanat, i njoh pak më mirë gjërat dhe dalëngadalë duhet të përgatitemi për sfidat që na presin”, përfundoi Cana.