Bushi: Kosova ka cilësi në ekip, ndoshta ka lojtarë më cilësore se ne

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi, doli ditën e sotme në një konferencë për mediat, pas barazimit me Turqinë në transfertë, dhe dy fitoreve në sfidat miqësore me Uellsin.

Bushi foli për takimet e fundit, për grupin kualifikues në të cilin bën pjesë edhe Kosova.

Pikërisht Kosova e kryeson grupin me gjashtë piktë të tubuara.

“Kosovën e pashë. Nuk është justifikim, por e kam thënë që terreni në Andorrë nuk ishte për futboll. Pastaj, Kosova ka një ekip të mirë, të fortë. I hapin probleme të gjithëve. Gjithsesi, ne kemi Austrinë, dhe Francën miqësore. E rëndësishme është që të luajmë mirë, pastaj vjen dhe rezultati. Ky është edhe çështje fati. Në ndeshjen me Uellsin, të parën, luajtëm dobët, kishim mbrojtje të re, por dy raste na u dhanë, shënuam dhe fituam. Ose rasti i Turqisë, mund të shënonim me portën bosh me Imerin. Kosova e shfrytëzoi dhe fitoi. Them që ne kemi çuar 6-7 lojtarë në ekip A. Kur të mbarojë ky sezon, do fitojmë disa lojtarë, 3-4 do jenë gati për Kombëtaren. Po morëm rezultat, akoma më mirë. Besoj se Kosova ka cilësi në ekip, ndoshta ka lojtarë më cilësore se ne, por ka dhe një zemër të madhe. Ata luftojnë gjithë kohës. Në futboll, nëse je i përqendruar, luan me zemër dhe zbaton detyrat, e mposht dhe një kundërshtar si Turqia. Grupi bën atë që të hedh poshtë cilësitë e individëve.”, ka thënë Alban Bushi, përcjell Panorama.