Bursasport vëzhgon lojtarët e Skënderbeut

Pjesëmarrja historike në Europa League dhe aktivizimi i talentëve të rinj të skuadrës në ndeshjet ndërkombëtare, duket se ka dhënë efektin e dëshiruar te Skënderbeu. Klubet jashtë Shqipërisë kanë nisur të shfaqin interes për yjet e pesë herë kampionëve. Në Elbasan Arena, për sfidën me Sportingun e Lisbonës, i pranishëm ishte edhe presidenti i Bursasporit, Recep Bolukbası.

Drejtuesi i klubit të Superligës turke shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ekipi nga gadishulli i Anadollit mendohet se është i interesuar për dy apo tre elementë të korçarëve. Mes emrave të lakuar janë ata të dy mesfushorëve të krahut, Bernard Berisha dhe Liridon Latifi, 20-vjeçari nga Mali, Nimaga dhe sulmuesi nigerian, Peter Olayinka.

Bursaspor është skuadra e një qyteti ku jetojnë shumë shqiptarë, ndërsa disa prej aksionarëve të klubit kanë origjinë nga vendi ynë. Ekipi renditet në mesin e tabelës në këtë edicion të kampionatit turk. Në historinë 52-vjeçare skuadra është shpallur një herë kampione dhe ka fituar një kupë të Turqisë. Vlera e përgjithshme e lojtarëve në merkato përllogaritet në mbi 64 milionë euro.