Burim Qorri, Behar Maliqi i ri

Në xhirot e fundit nuk është duke u vërejtur edhe aq shumë mungesa e mesfushorit tejet cilësor të Feronikelit, Behar Maliqit, i cili është i lënduar.

‘Sebep’ për një të tillë është bërë mesfushori Burim Qorri, i cili është duke e zëvendësuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Madje, 23-vjeçare po shënon edhe gola. Pasi që shënoi në stilin ‘panenka’ në kuadër të ‘Digitalb Kupës’, futbollisti nga Prishtina, shënoi edhe në xhiron e kaluar kur Feronikeli e mundi Vushtrrinë në udhëtim me shifrat 3:1.

Qorri foli si fillim për rezultatet e ekipit. “Rezultatet që kemi arritur deri më tash janë shumë të mira. Kampionati është shumë cilësor dhe më i baraspeshuar”, ka thënë për Gazetaolle.com, Burim Qorri.

“Jam shumë i lumtur që në ndeshjen e fundit arrita të shënoj gol. Ishte një ndeshje shumë e fortë, por në fund arritëm fitore të merituar”, shtoi Burimi.

Në pyetjen se a mendon se është duke e zëvendësuar në mënyrën e duhur, Behar Maliqin, Qorri deklaroi: “Të them të drejtën, Behari është një ndër mesfushorët më cilësor në Kosovë në pozitën e tij. Është përgjegjësi e madhe që ta zëvendësojë një emër të madh por jam duke e dhënë maksimumin. Shpresoj se do të vazhdojë me këtë formë të mirë dhe t’i ndihmojë ekipit drejt sukseseve të reja”.

Qorri edhe në vitin e kaluar ishte pjesë e Feronikelit, kur ky klub e shkroi historinë duke i fituar të gjithë trofetë e mundshëm në Kosovë.