Bunjaki ia “mbyll gojën” Rummenigges për Kosovën

Fitorja e Gjermanisë ndaj San Marinos me rezultat 8:0 ka ngjallur temë debati në botën e futbollit. Gjermanët janë çuar në këmbë, duke propozuar që kombëtaret e mëdha të mos ndeshen fare me ato të voglat.

Madje, Karl-Heinz Rummenigge e ka futur Kosovën në të njëjtin rang me Gjibraltarin, Andorrën e San Marinon.

Por, Albert Bunjaki deklaron se Kosova nuk është e këtij niveli nënçmues dhe se shpejt do ta befasojë botën.

Përzgjedhësi kosovar beson se shtetet e vogla si ato të lartpërmendura në një të ardhme pjesëmarrjen në kualifikime do ta kërkojnë nëpërmjet parakualifikimeve. Por, thotë se Kosova nuk është e atij niveli, andaj do të marrë pjesë direkt nëpër kualifikime.

“Kjo temë daton edhe më moti. Sigurisht se në një të ardhme sistemi do të ndryshojë. Pra, skuadrat e vogla do të luajnë në parakualifikime”, thotë Bunjaki në një bisedë me “Zërin”.

Por, ai qetëson tifozët duke i siguruar se Kosova nuk do të jetë e rangut të San Marinos, Gjibraltarit e Andorrës.

“Kosova është ekipi më i ri në botë që i ka zhvilluar deri më tani vetëm katër ndeshje. Loja jonë ka treguar se nuk jemi të atij niveli, madje qysh në fillimin tonë. Ne brenda një kohe të shkurtër kemi bërë përparim në ranglistën botërore. Ndërsa, synimi ynë është që pas këtyre kualifikimeve ta shohim veten në mesin e 100 kombëtareve më të mira të ranglistës së FIFA-s”, shtoi seleksionuesi kosovar.

Ai është i bindur se në eliminatoret e “Kampionatit Evropian 2020”, Kosova do ta befasojë botën e futbollit.

“Këto kualifikime po na shërbejnë për t’u komponuar dhe për t’u rritur si skuadër. Prej lojës në lojë po dëshmohemi më të mëdhenj. Dhe, në kualifikimet e ‘Evropianit 2020’ do ta shihni se si do të përflitet nëpër botë për Kosovën, normalisht për të mirë”, potencoi Bunjaki me plot optimizëm.

 

16 shtetet e rrezikuara

Mediet e huaja theksojnë se 16 shtete, si: Lituania, Finlanda, Letonia, Estonia, Gjeorgjia, Armenia, Luksemburgu, Qipro, Maqedonia, Kosova, Moldavia, Malta, Lihtenshtajni, San Marino, Andorra e Gjibraltari mund të marrin pjesë në parakualifikime.