Bullgaria planifikon të blejë teste për të rifilluar kampionatin

Nuk janë vetëm vendet e mëdha europiane që po marrin masa konkrete që të nisin përgatitjet për vijimësinë e sozonit futbollistik, por edhe vende të ndryshme në rajon.

Një prej tyre është Bullgaria, ku Federata dëshiron që të mos i lërë asnjë gjë rastësisë dhe kërkon që si vendet e tjera më të pasura, të ketë sigurinë maksimale që në fushën e lojës të mos ketë asnjë futbollist të infektuar, pasi do të kishte pasoja shumë të rënda.

Sipas informacioneve nga Bullgaria, Federata është vënë në lëvizje duke krijuar një fond të veçantë për këtë situatë ekstreme, për të garantuar vazhdimësinë e kampionatit, që me shumë mundësi do të luhet në qershor.

Fondi nuk është për të mbështetur financiarisht klubet, por për të ndërtuar një sistem të mirëfilltë kontrolli të lojtarëve të kampionatit të elitës në këtë vend.

Një nga hapat e parë është blerja e pajisjeve të testimit të shpejtë që ekzistojnë tashmë në SHBA dhe të një numri të madh testesh në mënyrë që të kenë mundësi që të kontrollojnë vetë në ditët para ndeshjeve gjendjen e lojtarëve që do të luajnë dhe të sigurohen që të gjithë janë në kushtet optimale e nuk kanë virusin.

Deri më sot, Bullgaria regjistron mbi 500 persona të infektuar dhe 22 të vdekur nga koronavirusi, ndërsa ka ndaluar të gjitha aktivitetet në vend për të frenuar përhapjen e tij.