Briken Calja nënkampion Europe në peshëngritje, por medalje e artë në shkëputje

Shqipëria e nisi me një medalje të argjendtë garën në kampionatin europian të peshëngritjes “Batumi 2019”, që po mbahet në Gjeorgji.

I pari që hipi mbi pedanë për sportistët shqiptarë, ishte Briken Calja, i cili e përfundoi garën në vendin e dytë në total, me 339 kilogramë, ndërkohë që mori medalje ari vetëm në stilin e shkëputjes.

Në stilin e shkëputjes, Calja ngriti me sukses dy provat e para, përkatësisht 152 dhe 156 kilogramë. Në provën e tretë, ai e kishte siguruar vendin e parë dhe medaljen e artë, pasi rivalët direkt kishin dështuar për t’ia dalë. Në provën e tretë, ai provoi rekord me shtangën që shënonte 160 kilogramë, por nuk ia doli.

Më pas, në stilin e shtytjes, Briken Calja e nisi me 183 kilogramë, por provën e parë e dëhstoi. Ndërkohë, ia doli me sukses në provën e dytë, po me të njëjtën peshë në shtangë. Ndërkohë, në provën e tretë dështoi, kur kishte 188 kilogramë për të ngritur. Calja e përfundoi i dyti, duke marrë medaljen e argjendtë në stilin e shtytjes.

Ndërkohë, në dygarësh, Calja doli sërish në vendin e dytë, teksa ngriti në total 339 kilogramë. Në vendin e parë, bullgari Andrev Bozhidar, ndërsa në vendin e tretë, bjellorusi Vadzim Likharad.

bandicam 2019-04-09 20-03-24-775