Brenga e madhe e Armend Dallkut te Prishtina: “Po të ndodhte kështu, tabela do të ishte ndryshe”

Po hyjnë në vitin e dytë që futbollistët e Prishtinës nuk kanë shkelur në stadiumin e Prishtinës, duke bredhur herë në një stadium, e herë në një tjetër për të gjetur shtëpi. Mirëpo, duket se si në Prishtinë nuk do të mund ta gjejnë askund. Stadiumi i Prishtinës tash e një kohë të gjatë është duke u rinovuar.

Ndonëse tashmë objekti ka nisur të marrë pamje të mirë, gjithsesi aty ka mbetur ende shumë punë për t’u bërë dhe sipas të gjitha gjasave bardhekaltrit edhe këtë pranverë që vjen, do ta shijojnë larg shtëpisë së tyre.

Kjo edhe ka bërë që futbollistët ta ndjejnë mungesën e stadiumit, gjë të cilën po e përjetojnë edhe tifozët, të cilët tash e një kohë nuk i kanë afër vetës të adhuruarit e tyre. Gjithsesi, shumë më keq po kalojnë drejtuesit e klubit që tashmë kanë kosto shtesë për t’i mbuluar shpenzimet që kërkon ekipi si për zhvillimin e ndeshjeve, ashtu edhe për realizimin e stërvitjeve, ku duhet bërë jashtë kryeqytetit. Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku ka rrëfyer se sa keq ka ndikuar te ekipi mungesa e stadiumit. Ai po shpreson shumë që në pranverë të mund t’i zhvillojnë së paku ndeshjet e fundit të kampionatit.

“Ne po shpresojmë shumë që do të luajmë në pranverë në Prishtinë, pa marrë parasysh se në cilën xhiro do të kthehemi. Gjithsesi dëshira jonë është që të fillojmë që në start të kampionatit të luajmë aty, por gjasat duken të vogla”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Armend Dallku.

Dallku

Prishtina në stinorin vjeshtor ndeshjet si vendase i ka zhvilluar në Drenas në stadiumin e Feronikelit, derisa edhe stërvitjet i ka bërë jashtë Prishtinës, në Kastriot. Kjo nuk ka pasur sesi të mos ndikojë në performancën e skuadrës. Mirëpo, pavarë- sisht kësaj, bardhekaltrit ia dolën që pjesën e parë të kampionatit ta mbyllin në vendin e dytë, si një rivale shumë serioze për titullin e kampionit. Dallku e pranon se kjo mënyrë e punës ka qenë shumë vështirë e përballueshme si për lojtarët ashtu edhe për kryesinë, të cilët kishin një kosto shtesë.

“Është shumë e vërtetë që kjo ka shkaktuar telashe të mëdha, duke parë parasysh se çfarë kosto shtesë i ka kushtuar klubit këto vite sa jemi pa stadium. Drejtuesit e klubit janë detyruar që të paguajnë për çdo gjë, duke u nisur në fushën për stërvitje, fushën për ndeshje, ambientet përcjellëse e shumë e shumë gjëra të tjera”, ka thënë Dallku, i cili ka falënderuar kryesinë që, pavarësisht këtyre telasheve, kanë arritur t’i përmbushin gjitha detyrimet ndaj tyre.

“Duhet t’ju falënderohemi kryesisë së klubit që ka bërë një sakrificë të madhe, pavarësisht vështirësive që i kanë dalë, ata nuk na kanë lënë anash as neve si futbollistë, e as stafin drejtues, pra shtabin teknik”.

plisat 12

Për ish-futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë dhe skuadrës ukrainase, Vorskla, Armend Dallku, sikur Prishtina t’i luante ndeshjet si vendase në fushën e vet, gjendja në tabelë do të ishte krejt ndryshe dhe se titulli i kampionit as që do të diskutohej. “Unë jam i bindur që po të ishim në stadiumin tonë, pa asnjë diskutim do të ishim të parët në renditje. Mirëpo, pavarësisht vështirë- sive dhe telasheve, konsideroj që kemi marrë atë që kemi merituar për këtë gjysmësezoni”, ka thënë kapiteni bardhekaltër për gazetën “Kosova Sot”, duke shtuar. “Po e përsëris, po të luanim para tifozëve “Plisat” dhe adhuruesve të Prishtinës në stadiumin tonë, do të ishim me pikë më tepër se që i kemi. Unë nuk mundem në asnjë moment të mos i falënderoj “Plisat” dhe atyre që po marrin mundin të udhëtojnë dhe po na përkrahin. Nuk është lehtë në këtë kohë krize të udhëtosh me kilometra për ta parë një ndeshje. Këtë e kanë bërë adhuruesit tanë dhe nuk na kanë lënë vetëm”, ka përfunduar Armend Dallku.