Borussia M’gladbah dhe Werder Bremen pas Lorik Canës

Deklarata e kapitenit të Shqipërisë Lorik Cana për një largim të mundshëm nga Lacio ka tërhequr vëmendjen e klubeve anembanë Evropës. Vera pritet të kthehet në një telenovelë përsa i përket të ardhmes së Canës pasi është shtuar ndjeshëm interesimi për numrin 27 të bardhekaltërve. Një ditë më parë mediat italiane dhe ato franceze bënin të ditur që emri i Canës është përfolur si pjesë e tratativës që con Florian Thauvin në kryeqytetin Italian, me Lorikun që do të rikthehej në Marsejë.

Por së fundmi dalin në skenë dy skuadra me emër në Bundesligën Gjermane. Borusia Monchegladbah dhe Werder Bremen kanë trokitur në dyert e Lacios për tu interesuar rreth të ardhmes së 32 vjecarit një lajm i cili konfirmohet nga faqja e specializuar për lëvizjet në merkato Calciomercato.com.

Vetë futbollisti ka pranuar shpesh herë se e tërheq ideja për të luajtur në Bundesligë, dhe emrat e interesuar janë nga ata që të grishin. Për të kuptuar se e ardhmja e Lorikut është larg Lacios mjafton të shohësh që Igli Tare po këmbëngul për mbrojtësin e Ludogorets Razgrad Georgi Terziev, që cilësohet si alternativa më e mirë për mbrojtjen bardhekaltër pas largimit të kapitenit të përfaqësueses shqiptare.