Bjellorusi-Kosovë, përfundon me këtë rezultat

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka debutuar me humbje në ciklin e saj të parë të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror.

Në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit B, Kosova është mundur nga Bjellorusia, me rezultat të thellë, 5:0, transmeton Gazeta Olle.

Ashtu siç parashikohej bjellorusët, të cilët e kishin edhe mbështetjen e tifozëve vendas, u treguan rivalë shumë të fortë dhe më kompaktë. Ata që nga fillimi e deri në fund e menaxhuan lojën më mirë dhe në fund me meritë iu gëzuan fitores.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 3:0, derisa në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Ramadan Cimilit duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarit u treguan më të kujdesshëm në mbrojtje në mënyrë që të pësojnë më pak gola. Golat për bjellorusët i shënuan Olshevski, Scherbich, Zhigalko dhe Jeton Rukovci e Fadil Goli autogola.

Ndeshjen e dytë Kosova do ta zhvillojë nesër kundër Norvegjisë, kombëtare e cila sonte e mundi Andorën 5:3. Pikërisht në dy ndeshjet e ardhshme Kombëtarja jonë do të synojë që të arrijë të sigurojë pozitën e dytë në grup, e cila siguron kalimin në fazën e ardhshme kualifikuese, pasi shihet qartë se favorit për ta fituar grupin janë bjellorusët.