Besnik Hasi si “plan B”, ja gjashtë arsyet për të drejtuar Kombëtaren

Kombëtarja e Panuccit ka probleme serioze që nuk kanë të bëjnë më shumë me rezultatet e fundit në miqësore, sesa me mënyrën sesi luan në fushë dhe me frymën që është krijuar brenda dhe jashtë saj.

Ka probleme edhe për faktin se lojtarë të rëndësishëm i kanë dhënë mesazhe të qarta Panuccit se kështu nuk vazhdohet.

Ndërkaq, është konstatuar se, gjatë ndeshjeve, Shqipëria nuk ka një plan B në fushë dhe kjo ka rritur nervozizmin e vetë skuadrës, por edhe të tifozëve.

Po për të ardhmen, a e ka një plan B? Pra, nëse skuadra me në krye Panuçin nuk arrin të bëjë kthesën brenda shtatorit (“afat” i përcaktuar nga vetë Duka), a ka një plan rezervë?

Rezultate imazhesh për besnik hasi

LIGA E KOMBEVE SI SHANS I FUNDIT

Ndeshjet e Ligës së Kombeve do të jenë testi real për  trajnerin e Shqipërisë.

Zhgënjimi që ka kapluar shqiptarët për paraqitjet e Kombëtares në ndeshjet e fundit ka vënë nën presion jo vetëm stafin dhe lojtarët, por edhe drejtuesit e FSHF-së.

E megjithatë, Duka deklaroi hapur se do ta mbështesë trajnerin dhe se atij i duhet kohë. Por gjithashtu, ai artikuloi se “pret me besim të madh se në shtator skuadra do të ketë reflektuar dhe do bëjë kthesën e duhur”.

Duke e parë nga ky këndvështrim, deklarata e Dukës mund të lexohet edhe si një afat i fundit që kreu i FSHF-së po i lë trajnerit.

Pra, Duka është gati të rrezikojë kompeticionin e Ligës së Kombeve, por ka pak gjasa që të rrezikojë Evropianin. Kjo do të thotë se kreu i federatës do të presë se si do të shkojnë gjërat për ndeshjet që do të luhen në shtator dhe në tetor.

panucci_1522092830-5874277

Nëse Shqipëria jep sinjale pozitive dhe rikthehet të jetë bindëse në fushë, Panuçi mund të vijojë i qetë punën për eliminatoret e Europianit 2020.

Nëse skuadra kuqezi do të jetë njësoj si në ndeshjet e fundit, ka shumë gjasa që Duka, edhe pse me kosto të lartë financiare për prishje të njëanshme të kontratës, ta largojë Panuccin.

Ai nuk mund të rrezikojë kurrsesi që Kombëtarja të nisë përgatitjet për Europianin me klimën e krijuar së fundmi.

Europiani nuk është vetëm prestigj, por edhe një bonus i madh financiar. Është shansi real i Shqipërisë për të marrë pjesë në një kompeticion të madh për shkak edhe të numrit të lartë të skuadrave, ndryshe nga Botërorët ku mundësitë janë minimale.

Pjesëmarrja e kuqezinjve në Euro 2016 gjeneroi rreth 15 milionë euro të ardhura nga shpërblimet e UEFA-s dhe nga marketingu dhe Duka nuk dëshiron kurrsesi ta shpërdorojë këtë mundësi.

BESNIK HASI SI OPSION

Nëse i pyet sot tifozët se cili mund të jetë trajneri shqiptar që mund të marrë drejtimin e Shqipërisë, Hasi është në krye të listës. Por ai është edhe një opsion i mirë për ta konsideruar “plani B”.

Së pari, sepse është i papunë aktualisht dhe nuk do të kishte probleme për shkëputje kontrate.

Së dyti, sepse ka treguar se është i zoti: kampion i Belgjikës me Anderlehtin dhe trajner i vitit tri edicione më parë. Së treti, si shqiptar ai e njeh shumë mirë mentalitetin e lojtarëve dhe të vendit tonë. Së katërti, sepse është formuar jashtë dhe është tip strikt.

Rezultate imazhesh për besnik hasi

Së pesti, ky mund të ishte shansi i jetës, në një moment kur karriera e tij nuk është në ditët më brilante. Së gjashti, sido që të shkojë, ka më shumë eksperiencë se Panuçi në nivele të larta, edhe pse kanë një moshë.

Hasi ka drejtuar Anderlehtin, Legian e Varshavës dhe Olimpiakosin, ndërsa italiani vetëm Livornon dhe Ternanën në Serinë B.

Në pamje të parë, gjakovari duket zgjidhja perfekte nëse Panuçi nuk arrin t’u japë drejtimin e duhur gjërave në ndeshjet e shtatorit.

Por gjithsesi, edhe Hasi ka disa ngërçe që duhet t’i zgjidhë dhe një mes tyre është raporti disi i ngrirë me Dukën. Kjo, pasi refuzoi të merrte drejtimin e kuqezinjve pas largimit të Kuzhes.