Besë e madhe, ashtu siç e meriton Peja

Me investimet në infrastrukturë dhe në strukturat e klubit, Besa në dy vitet e fundit është treguar klubi më serioz në futbollin kosovar.

Derisa asnjë klub kosovar nuk e ka bërë ‘mbushjen e baterive’ për edicionin e ri jashtë vendit, Besa sot ka mbërritur në Plavë të Malit të Zi, me qëllim të përgatitjes së ekipit në mënyrë sa më profesionale.

Padyshim më meritorja për këtë është kryesia e klubit me në krye Shemsedin Muhaxherin dhe Shkumbin Gashin, që premtojnë se do të japin edhe më shumë për Besën.

“Edhe këtë vit po i kryejmë përgatitjet jashtë vendit. Kemi investuar shumë në të gjitha aspektet, sepse qyteti i Pejës e meriton një klub serioz në elitën e futbollit kosovar. Jemi të bindur që këto investime do të përkthehen në suksese, sepse Peja e meriton një gjë të tillë”, deklaroi Gashi për GazetaOlle.com.

Bashkë me Feronikelin, Besa pritet të jetë pretendentja kryesore për titullin kampion këtë edicion.