Besa transferon Egzon Gashin

Besa ka arritur marrëveshje me sulmuesin pejan Egzon Gashi. Nënkryetari i klubit, Shkumbin Gashi, është takuar sot me ish-sulmuesin e Istogut dhe ka arritur marrëveshje 6-mujore.

Rikthimin në folenë e quajtur “Shahin Haxhiislami” e konfirmoi vetë Gashi, duke u shprehur optimist për arritjen e objektivave të klubit pejan.

“Sot jam takuar me nënkryetarin Shkumbin Gashi dhe kemi arritur marrëveshje 6-mujore. Zyrtarizimi dhe prezantimi do të bëhet brenda 2-3 ditësh”, deklaroi Gashi për “GazetaOlle.com”.

“Do të angazhohem maksimalisht dhe besoj fuqishëm që do t’i përmbushim objektivat e klubit”, shtoi sulmuesi i frikshëm.