Besa e “shpartalluar” nga largimet, synon ta fillojë sezonin me trofe

Besa si fituese e Kupës, më 12 gusht do të ndeshet me kampionin, Trepçën ’89 në kuadër të Superkupës.

Pejanët që kanë pësuar ndryshime të mëdha, duke mbetur pa futbollistët kryesorë të edicionit të kaluar, synon mrekullinë, duke shpresuar se mund ta fitojë këtë trofe.

Kështu të paktën ka thënë trajneri, Valdet Shoshi.

“Jemi duke u përgatitur për Superkupën. Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mirë dhe pse jo, nëse na jepet mundësia, edhe ta fitojmë atë”, deklaroi Shoshi.

Besa e kishte nisur sezonin e kaluar furishëm me qëllim që të dilte në Evropë, ndërkohë që kishte transferuar futbollistë të njohur në Pejë.

Mirëpo, gjërat nuk shkuan mirë për pejanët dhe në pjesën e dytë të sezonit ata u përballën me vonesa të rrogave, pakënaqësi dhe “hasmëri” brenda ekipit. Megjithatë, sezoni i shpëtua me Kupën e Kosovës, të cilën e fitoi ekipi bardhekuq.