Besa e Istogu, kampionë të Kosovës në hendboll

Besa Famgas ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Për skuadrën pejane të hendbollistëve është titulli i gjashtë rresht dhe kështu Besa Famgas ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës.

Besa titullin e festoi të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në qytetin me traditë të hendbollit. Besa e mposhti Kastriotin vendas me rezultat 26:25, në një ndeshje tjetër shumë të fortë në mes dy skuadrave dhe poashtu shumë dramatike. Fituesi u vendos vetëm në aksionet e fundit, ndërsa Besës do t’i mjaftonte edhe barazimi për t’u shpallur kampion. Besa të mërkurën në Pejë fitoi 16:15 dhe me dy fitore në finale të plejofit stoliset me titull të kampionit.

Skuadra pejane është renditur e para në pjesën e rregullt të kampionatit, kurse në gjysmëfinale kaloi Vëllaznimin. Kastrioti në stinorin e rregullt ishte i dyti, kurse Prishtinën e kaloi në gjysmëfinale. Por ferizajasit kanë pasur poashtu një edicion shumë të suksesshëm. Kanë fituar Kupën e Kosovës, duke mposhtur Besën në gjysmëfinale dhe Prishtinën në finale.

Gjatë tërë edicionit Besa e Kastrioti ishin rivalë të mëdhenjë dhe kështu kanë shtyrë para garën në Superligën e Kosovës.

Dhe si të gjithë ndeshjet e këtij edicioni mes Besës e Kastriotit edhe ndeshja vendimtare ishte e fortë, me mbrojtje të fuqishme. Në minutat e fundit Besa krijoi epërsi deri në tri gola, por vendasit u kthyen dhe barazuan rezultatin në 24:24. Por pejanët ia dolën të shënojnë edhe dy herë dhe në fund rezultati ishte 26:25 për Besën.

Tre lojtarë shënuan nga pesë gola për Besën: A. Kukrika, E. Gjuka, e D. Tahirukaj. U dallua edhe portieri H. Berisha e poashtu të gjithë ata që luajtën. D. Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me 8 gola.

Ndeshja u luajt para rreth 1200 shikuesve.

 

Istogu, kampion për herë të parë

Istogu është kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave për edicionin 2018\19. Istogu titullin e parë në histori të klubit e ka siguruar të shtunën në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri. Istogu e mposhti Vushtrrinë vendase me rezultat 28:26, në një ndeshje të fortë e dramatike. Për Istogun ishte kjo fitorja e dytë në finale të plejofit dhe kështu Istogut iu dorëzua Kupa e kampionit. Kupën kapitenes së Istogut, Albina Rugova, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.

Istogu javë më parë fitoi edhe Kupën e Kosovës, ndërsa të shtunën është konfirmuar si skuadra më e mirë e këtij edicioni në hendbollin kosovar. Skuadra istogase kishte fituar kupën edhe para një viti, ndërsa tani i ka dhënë fund edhe pritjes për titull të kampionit.

Istogu të mërkurën në Pejë kishte fituar bindshëm ndaj Vushtrrisë, por të shtunën ndeshja ishte më e fortë. Vushtrriaset u mbajtën deri në fund, ndërsa pas pjesës së parë ishin në epërsi me rezultat 13:12. Por në minutat e fundit vendaset dështuan në disa aksione e në anën tjetër realizuan lojtaret istogase, për të shënuar fitoren përfundimtare të edicionit.E. Kameri me 8 gola ishte më efikasja te Istogu, ndërsa 7 i realizoi S. Ujkiq. U dallua edhe portierja A. Shehdadi me shumë pritje vendimtare.

Te Vushtrria prap në nivel të lartë ishte portierja Nj. Kelmendi, ndërsa më efikasja ishte A. Kelmendi me 8 gola.

Istogu kishte mbyllur stinorin e rregullt në vend të parë, ndërsa në gjysmëfinale të plejofit ka eliminuar Shqiponjën. Vushtrria e vendit të dytë në gjysmëfinale kishte eliminuar Prishtinën.

Ndeshja përfundimtare u luajt para afro 600 shikuesve.