Berisha: Shqipëria – Armeni, dënimi, Liga e Kampionëve

Në futboll është e rëndësishme të shënosh por dhe të mos pësosh dhe te Shqipëria, njeriu që kyç portën është Etrit Berisha. Për dy ndeshjet e para në këtë edicion, me Portugalinë dhe Danimarkën është folur shumë për golat e Balajt dhe Lenjanit, por heroi i heshtur ka qenë pa dyshim Etriti, që ndeshjen e radhës në “Elbasan Arena” me Armeninë e sheh si mjaft të rëndësishme për kuqezinjtë.

“Ndeshja me Armeninë është shumë e rëndësishme për grupin tonë. Ne do të bëjmë maksimumin për të fituar. Jemi të përqëndruar dhe e dimë cili është rezultati që duhet të arrijmë të dielën”.

Federata Italiane e futbollit e dënoi me 10 ditë pezullim dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh për nënshkrimin e një parakontrate me Chievon qershorin e kaluar, përpara se në shtator Berisha të transferohej te Lazio. Për Berishën tashmë është e rëndësishme që kjo çështje të mbyllej dhe pse ai shpresonte për një dënim më të lehtë për të.

“Tani gjithçka u mbyll mbi këtë çështje dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Shpresoja sigurisht në një dënim më të lehtë, por e rëndësishme është që u zgjidh dhe tani mund të jem i përqëndruar vetëm në paraqitjet e mia në fushën e lojës”.

Me Shqipërinë kërkon Evropën e futbollit ashtu si dhe me klubin e Lazios, që ka filluar të dëgjojë muzikën e Champions League në sfond për sezonin e ardhshëm. Bardhëkaltërit për momentin renditen të 3-tët në kampionat dhe dëshira e Berishës është që skuadra ta realizojë këtë objektiv për të qenë pjesë e kompeticionit më magjik për klube në botë.

“Deri tani jemi në zonën Champions dhe besoj se kemi shumë mundësi që të sigurojmë një vend në këtë kompeticion. Uroj shumë që Lazio vitin e ardhshëm të jetë mes skuadrave më të mira të Europës”.