Berisha porositë kosovarët tjerë: Mos u lodhni, titulli i Skënderbeut

Bernard Berisha është i bindur se titulli i kampionit këtë kampionat, do të shkojë tek skuadrave e trofeve, Skënderbeu. Mesfushori i krahut nga Peja, ndihet i kënaqur me paraqitjet e tij tek kampionët e Shqipërisë.

“Te Skënderbeu po kalojë shumë mirë, është klub shumë serioz me kushte shumë të mira, dhe ka synime shumë të qarta të fitojë çdo trofe. Ndërsa nga paraqitja ime jam shumë i kënaqur, kam ardhur në një formë shumë të mirë dhe falënderoj bashkëlojtarët që po më përkrahin shumë dhe besoj se së bashku do ia dalim drejt objektivave tona”, thotë Berisha në fillim të bisedës për gazetaolle.com.

I pyetur për porosinë që ka për kosovarët tjerë që po kërkojnë titullin me skuadrat tjera në Shqipëri, ai tha: “Ekipet tjera i respektojë shumë, por edhe ata e dinë se çfarë skuadre dhe çfarë force ka Skënderbeu. Mendoj se çdo trofe do të jetë i yni”.

Berisha pret që me paraqitjet e tij të mira në të ardhmen të fitojë një vend në Përfaqësuesen e Kosovës. “Nuk dua të flas për këtë temë, sepse unë kam respekt për Albert Bunjakun. Unë jam i gatshëm në çdo moment të japë më të mirën për vendin tim, por për këtë vendos përzgjedhësi dhe nëse nuk do thirrem, unë nuk do të mërzitem, sepse e di si shkon në Kosovë, ka shumë presion në zgjedhjen e lojtarëve”, shtoi ai.

Berisha është nga Peja, kurse karrierën në Kosovë e ka zhvilluar te Besa, prej nga kaloi te Besa e Kavajës. Tek Skënderbeu u transferua në verën e vitit të kaluar. (Gazeta Olle)