Berisha i respektuar në Rusi

Futbollisti kosovar Bernard Berisha pranon se kishte frikë kur kishte shkelur tokën ruse, shkruan sot Koha Ditore.

Frika e tij kishte të bënte me pritjen që do t’i bëhej nga banorët rusë, pastaj edhe me prejardhjen e tij – Kosovën, që për rusët vazhdon të shihet diçka që u takon miqve të tyre, serbëve.

Por, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj, 24-vjeçari thotë se është befasuar me mikpritjen në vendin ku Kosova nuk pranohet si shtet.

“Kam pasur tremë, pasi erdha në një vend ku askush nga futbollistët me shtetësi të Kosovës nuk kishte shkelur”, tregon Berisha ditët e tij të para në Rusi.

Ai ngul këmbë se as vetë nuk e ka imagjinuar se mund të pritej në një mënyrë të tillë – të ngrohtë.

“Nga fillimi e deri tash kam përjetuar një respekt të veçantë. Jam i lumtur me kohën që po e jetoj në Rusi”, ka theksuar Berisha për gazetën.

Ai zbulon se pas kalimit të tremës, ka porositur një palë këpucë të reja të futbollit. Por, ato do të jenë të veçanta në Rusi.