“Berisha i pazëvendësushëm”

Skënderbeu po përgatitet për ndeshjen e së hënës kundër Tiranës, një takim i rëndësishëm për vijimësinë e kampionatit.

Bardhekuqtë janë të fokusuar maksimalisht në ndeshjen e radhës ndaj Tiranës, e cila jo vetëm që do të ruajë vazhdimësinë pozitive në kampionat, por është një përballje direkte për titullin kampion.

Një gjë të tillë e ka theksuar edhe vetë mbrojtësi bardhekuq, Bajram Jashanica, i cili, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, vlerëson takimin me bardheblutë, por nga ana tjetër premton fitore për të ruajtur pozitat në krye të renditjes.

Jashanica, të hënën përballë Tiranës. Një ndeshje e vështirë?

Natyrisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë edhe faktin që Tirana është një ekip i fortë dhe me traditë në futbollin shqiptar. Bardheblutë janë rritur shumë në javët e fundit të kampionatit dhe kjo tregon formën e tyre të mirë për momentin. Humbja në Kupë kundër Flamurtarit nuk duhet marrë për bazë nga ana jonë, pasi s’do të jetë ajo fytyra e Tiranës që do të vijë këtu.

Pra kjo, sipas jush, e bën të vështirë fitoren kundër tyre?

Sigurisht, mbetet një takim i vështirë, por duhet të dimë që ne do të jemi të fokusuar në maksimum për këtë takim. Sigurisht një ndeshje mjaft e vështirë, por ne do të hyjmë në fushë me të vetmin qëllim për të marrë tri pikët në këtë ndeshje dhe jam i bindur që do të arrijmë.Do të hyjmë të sigurt në ndeshje, e mundim Tiranën.

Kjo është një përballje direkte për ju?

Është një takim kundër një ekipi që kërkon të qëndrojë tek objektivat e tij dhe normalisht që do provojë të hyjë në garë për titull nëse do të arrijë të marrë një rezultat pozitiv. Ne, nga ana jonë, do të mundohemi që të përfitojmë nga kjo përballje me kundërshtarin direkt, në mënyrë që të mos u japim mundësi që të na afrohen. Jam i bindur që, nëse mundim Tiranën, jo vetëm hedhim një hap drejt titullit, por u heqim edhe atyre shansin për të garuar për titull.

Katër pikë diferenca me vendin e dytë. Një diferencë komode?

Nuk mendoj që katër pikë janë një diferencë komode, për vetë faktin se pas dy takimesh mund ta shikosh veten të arritur nga kundërshtari. Prandaj duhet që të ruajmë qetësinë dhe të marrim maksimumin nga çdo takim, në çdo situatë.

Partizani do të jetë rivali juaj deri në fund të sezonit?

Shpresojmë që titulli të mbyllet më shpejt sesa java e fundit. Ata po bëjnë një rezistencë të mirë dhe normalisht që do të jenë një rival i fortë. Por ne kemi tri ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Nëse marrim pikët e plota me Tiranën, Bylisin dhe Laçin, atëherë mendoj se kemi hedhur një hap të sigurt për titullin kampion. Megjithatë, takimet duhet t’i shohim një e nga një edhe për vetë faktin që të jemi sa më shumë të përqendruar.

Si ka ndryshuar ekipi pas merkatos së janarit?

Ka pasur shumë ndryshime dhe normalisht që ishte pak problem në fillim përshtatja e elementëve të rinj. E nisëm keq vitin 2016 me dy rezultate jo fort pozitive. Sigurisht një gjë të tillë kemi arritur ta kthejmë menjëherë dhe këtë gjë e kemi treguar që në ndeshjen kundër Kukësit, që ishte një rival i yni duke dhënë më të mirën. Kjo është ajo që ne duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe në vijim.

Kush i mungon më shumë ekipit?

Berisha pa diskutim. Jo vetëm mua që e kisha shok dhome, por edhe për të gjithë ekipin. Nuk kemi arritur ende të gjejmë një zëvendësues të tijin, pasi ishte një lojtar që i jepte shumë krah ekipit qoftë në anën sulmuese dhe në atë mbrojtëse. Ndërsa për Olainkën them se Xhejms arriti ta zëvendësonte mjaft mirë, madje që në fillim me debutimin e tij në ndeshjen e parë kundër Kukësit. Jo vetëm që arriti të shënonte, por u mor vesh me ekipin mjaft lehtë dhe u bë menjëherë pjesë e tij. Do të jetë një lojtar që do të na duhet shumë për titullin kampion.