Berisha e Azemi bëhen bashkë te Greuther Furth

Sulmuesi kosovar Veton Berisha ka nënshkruar kontratë për tre vjet me skuadrën e Greuther Furthit që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë. E kontratë të re pas pak ditësh pritet të nënshkruajë edhe sulmuesi tjetër kosovar, Ilir Azemi, që në muajin qershor të këtij viti i skadoi kontrata me këtë skuadër.

Berisha 21-vjeçar është ndarë i lumtur që do të luajë në edicionin e ardhshëm në Gjermani. Ai për uebfaqen zyrtare të klubit ka thënë se Greuther Furthi është një skuadër që u jep hapësirë futbollistëve të rinj për t’u zhvilluar.

“Për mua gjithmonë ka qenë një dëshirë për të luajtur në Gjermani. Greuther Furthi gëzon respekt të shkëlqyer dhe ka treguar shpesh se i ka zhvilluar lojtarët e rinj”, ka thënë Berisha.

Ai te skuadra e Greuther Furthit u transferua nga skuadra norvegjeze, Viking. Këtë edicion Berisha shënoi 11 gola dhe kontribuoi me katër asistime në 14 ndeshje të zhvilluara me fanellën e Vikingut. Është reprezentues i rregullt i përfaqësueses U-21 të Norvegjisë, me të cilën ka shënuar dy gola në 12 paraqitje. Për Berishën interesim të madh shfaqi edhe skuadra kampione e Skocisë, Celtic.