Berisha: Dua Ligën e Kampionëve

Etrit Berisha ishte një ndër lojtarët kryesor të Lazios, në fitoren e të dielës ndaj Udineses në udhëtim (1:0) duke bërë pritje spektakolare, për të mbajtur portën e tij të pamposhtur në këtë përballje.

Në një prononcim për ‘Gazetën Olle’, portieri i Kombëtares shqiptare, thotë se është shumë i kënaqur me paraqitjen e gjithë ekipit. “Jam i kënaqur me paraqitjen e gjithë ekipit pasi ishte një ndeshje e vështirë duke marrë parasysh se në këtë ndeshje hynim pas dy humbjeve të pësuara dhe kjo fitore me Udinesen, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe jam i lumtur që arritëm të marrim tri pikë”, deklaroi Berisha për gazetën.

Ish-futbollisti i 2 Korrikut dhe Kalmarit, shpalosi edhe objektivat e Lazios.

“Sa i përket paraqitjes sime, gjithmonë mundohem të jap maksimumin si në ndeshje edhe në ushtrime. Mundohem që t’i ndihmojë skuadrës që t’i arrijmë qëllimet tona që të përfundojmë në një pozitë e cila dërgon në Ligën e Kampionëve apo së paku në Europa Ligë“, përfundoi 25-vjeçari Etrit Berisha.

Lazio aktualisht zë vendin e pestë në Serie A me 37 pikë, pesë më pak se Napoli që pozicionohet në pozitën e tretë, vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.