Berberi i Superligës dhe i Kosovës (FOTO+VIDEO)

Kushtet e vështira financiare në sportin e Kosovës i detyron sportistët tanë të bëjnë edhe punë të tjera për përfitime materiale që nuk ua ofron sporti. Portieri i Prishtinës dhe i Përfaqësueses së Kosovës punon edhe si frizer. Edon Gashi ua ka parë hairin gërshërëve, prej të cilave fiton më shumë sesa prej hendbollit. Ai ua pret flokët edhe tifozëve, hendbollistëve, futbollistëve e trajnerëve, shkruan gazeta Zëri

Të merresh me sport në Kosovë duhet edhe të sakrifikosh pasi kushtet e vështira në klube, posaçërisht kriza e madhe financiare, kanë bërë që shumë sportistë të bëjnë edhe punë dytësore për ta siguruar një mirëqenie sociale.

Për dallim nga sportistët e vendeve të tjera, të cilët mendojnë vetëm për ushtrimet dhe ndeshjet, në Kosovë sportistë duhet të mendojnë jashtëzakonisht shumë edhe për profesionin tjetër, prej të cilit jetojnë.

Njëri ndër ta është edhe Edon Gashi, portieri i Prishtinës dhe i Përfaqësueses së Kosovës në hendboll. Për Gashin hendbolli më shumë është hobi sesa profesion.

Të ardhura financiare ka prej një profesioni tjetër, prej atij të frizerit (parukierit), shkruan gazeta Zëri.

“Në hendboll kushtet janë të vështira, por dëshira dhe vullneti na kanë shtyrë të merremi me hendboll. Shpresojmë gjithmonë se do të bëhet më mirë, por tash e disa vite është njëjtë, mirëpo dëshira e madhe nuk na ka lënë ta lëmë këtë sport”, thotë Gashi në një bisedë me “Zërin”.

 

Ai thotë se profesioni i parukierit ia pamundëson përkushtimin maksimal në sport.

“Është vështirë të angazhohem me dy puna. Por me kohë kam filluar të adaptohem, tashmë me lokalin tim personal është më e lehtë. Shpeshherë më ka ndodhur të vonohem në punë, pasi nuk është e lehtë. Por, fatmirësisht klientët janë të kuptueshëm dhe më presin”, u shpreh Gashi.

“Gardiani” kosovar zbulon se tifozët dhe shokët janë habitur kur kanë dëgjuar për profesionin e tij të dytë, të cilët tashmë i ka klientë.

“Kam punuar me këtë profesion, por nuk e kanë ditur që merrem me këtë dhe sigurisht që janë befasuar kur e kanë kuptuar se jam edhe frizer. Është ndjenjë e veçantë kur një tifoz të përkrahë dhe e ke klient dhe sigurisht është ndjenjë shumë e mirë”, theksoi Gashi.

gashi

 

Klientë – trajnerë e futbollistë

Portieri i Përfaqësueses së Kosovë, Edon Gashi, ua ka parë hairin gërshërëve. Ai thotë se tashmë ka fituar shumë klientë nga komuniteti sportiv.

“Prej klientëve kam edhe futbollistë vendorë dhe të huaj, të cilët vijnë për t’i rregulluar apo për t’i prerë flokët. Janë Gauthier Mankenda dhe Khalid Abdul, por edhe ata të Gjilanit, si Dren Gashi dhe shumë të tjerë. Gjithashtu shumicën e bashkëlojtarëve i kam klientë, përveç kësaj jam edhe frizer personal i Përfaqësueses së Kosovës”, theksoi Gashi.

Hendbollisti prishtinas zbulon një klient të tij.

“Klientin më të veçantë e kam trajnerin Taib Ramadani, me të cilin shpeshherë kam bërë edhe shaka duke i thënë se këtu pyetem unë se si duhet, kurse në stërvitje dhe në ndeshje jeni ju”, theksoi Gashi duke qeshur.

I lë gërshërët nëse del në Evropë

Portieri i njohur ëndërron që të transferohet në ndonjë klub evropian të hendbollit, për çka është i gatshëm ta lërë zanatin e parukierit.

auto_edo-gashi2_copy1483383670

 

“Është shumë vështirë të depërtohet nga Kosova në ligat evropiane, mirëpo edhe unë si hendbollistët tjerë kosovarë që kanë depërtuar besoj se do të arrij të luaj në ndonjë skuadër evropiane, pavarësisht shumë sakrificave që kemi kaluar dhe duhet t’i kalojmë deri më tani”, përfundoi Gashi. /