Belegu: Presim të anëtarësohemi në FIBA

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Eroll Belegu, në një prononcim për Indeksonline, është shprehur optimist për anëtarësimin e FBK në FIBA, në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv që mbahet me 12 dhe 13 mars.

Belegu ka cekur se Komiteti Ekzekutiv i FIBA në mbledhjen e radhës, e ka në rend të ditës aplikimin e FBK-së për anëtarësim në institucionin më të lartë të basketbollit.

“Komiteti Ekzekutiv i FIBA në mbledhjen e radhës më 12 dhe 13 mars që do të mbahet ne Gjenevë e ka në rend të ditës edhe aplikimin e FBK për anëtarësim në FIBA”, tha Belegu.

“FBK ka dorëzuar një aplikacion i cili është cilësuar si shumë profesional dhe përmbajtjesorë,por edhe gjatë vizitës në FIBA në muajin shkurtë kemi pranuar lëvdata për punën e bërë por edhe konstatim qe tani i kemi përmbushur të gjitha kushtet për pranim në FIBA”

“Ne presim që KE i FIBA të vendos në favor të FBK dhe që xhiron e ardhshme klubet e FBK do të zhvillojnë gara si anëtare e 215 e FIBA”, shtoi kryetari i FBK-së, Eroll Belegu.

Në rast të pranimit të Kosovës në FIBA, sporti i basketbollit do të jetë sporti i radhës që merr ditën e gjelbër në arenën ndërkombëtare.