Bekim Isufi: Transferimet e Ferizajt do të…

Dritë në fund të tunelit te Ferizaj. Skuadra që garon në Superligën e Kosovës duket se ka lënë anash problemet e brendshme dhe i është kthyer punës.

Dimri e zuri klubin e Ferizajt në probleme të mëdha financiare, si dhe me probleme të brendshme e që rezultuan me largimin e investitorëve anglezë, shkruan Zëri.info.

Por Ferizaj ditë më parë bëri me dije se situata është drejt normalizimit dhe se timonin e skuadrës do ta mbajë trajneri i mirënjohur kosovar Bekim Isufi, teksa tashmë futbollistët kanë nisur edhe përgatitjet për stinorin pranveror.

Ndonëse pozicionohen në pjesën e poshtme të tabelës synimi primar i Ferizajt këtë edicion është mbetja në elitë.

Në një bisedë me gazetën “Zëri” trajneri i Ferizajt, Bekim Isufi, është shprehur i entuziazmuar para nisjes së stinorit pranveror, derisa thotë se ka sinjale pozitive në klub.

“Kohëve të fundit ka sinjale se do të bëhet mirë, ka premtime dhe kemi filluar përgatitjet. Jemi në bisedime me shumë futbollistë. Mendoj se duke u bazuar në bisedimet që i kemi zhvilluar, gjendja në skuadër do të jetë shumë më stabile dhe më e mirë”, nis bisedën për gazetën “Zëri” Bekim Isufi.

Duke u bazuar në problemet e mëdha që kishte Ferizaj javë më parë, atmosfera te futbollistët nuk ishte aspak e mirë, të cilët kërkonin ta dinin të ardhmen e tyre. Por me rregullimin e situatës, Isufi mendon se të gjithë futbollistët janë duke u stërvitur dhe se atmosfera është e mirë në grup.

“Atmosfera është e mirë në skuadër dhe të gjithë janë duke dalë në stërvitje, kështu që intensiteti dhe puna janë në nivelin që duhet të jenë”, theksoi Isufi duke shtuar se klubi është duke menduar edhe për përforcime:

“Nuk ka mungesa dhe tani jemi duke munguar për disa përforcime”.