Bekaj paralajmëron Feronikelin: Ka ardhur momenti që ne tani t’i mposhtim

Prishtinën nesër e pret një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë ndaj Feronikelit.

Në “Fadil Vokrri” Prishtina si dhe Feronikeli do të kërkojnë këndellje pas ndeshjeve jo të mira në xhiron e fundit, shkruan Gazeta Olle.

Portieri i Prishtinës, Visar Bekaj ka thënë për faqen zyrtare të klubit të Prishtinës se pret fitore për të mbetur në hap me kreun e tabelës.

“Padyshim se i gëzohem formës personale dhe ndjehem mirë që së bashku me ekipin nuk po pësojmë gola tash e disa ndeshje. Ndërsa, megjithatë edhe pse po krijojmë shumë raste dhe po shkojmë mirë deri para portës kundërshtare, aty po na mungon efikasiteti. Por, shpresoj shumë që bashkëlojtarët e mi të fazës së sulmit të gjejnë golin kundër një kundërshtari të fort siç është Feronikeli. Është fakt që Feronikeli na ka mposhtur në dy duelet e fundit, por para asaj ne kishim nëntë ndeshje pa u mposhtur me ta, pra, me gjithë formën jo të mirë të tyre e që nuk na preokupon kjo, sepse ne shohim vetëm veten tonë, dhe me gjithë respektin maksimal si ekip i mirë dhe kampion aktual, ka ardhur momenti që ne tani t’i mposhtim dhe të vazhdojmë rrugën drejt kreut të tabelës”, ka thënë portieri Bekaj i cili e mban portën e paprekur në pesë ndeshjet e fundit rresht.