Behar Maliqi tregon 5 skuadrat rivale të Llapit në garën për titull

Llapi është në fazën finale të përgatitjeve për edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll i cili nis këtë fundjavë që po vjen.

Njëri nga futbollistët më me përvojë në Kosovë, Behar Maliqi në një bisedë për Zëri.info ka thënë se ekipi është shumë mirë dhe se janë të gatshëm për të luftuar drejt objektivave që kanë.

”Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë. Shtabi teknik ka punuar intensivisht dhe për fat të mirë nuk kemi pas lëndime gjatë stërvitjeve, edhe pse kanë qenë ngarkesat e mëdha”, ka thënë Maliqi për Zëri.info, duke folur më pas edhe për prurjet e reja.

”Kanë ardhur shumë lojtarë të ri në ekip, por trajneri u mundu me komponu ekipin sa më mirë. Janë lojtarë cilësorë dhe do të na ndihmojnë shumë. Neve na mbetet ta japim maksimumin për t’i arritur objektivat”, vlerësoi ish futbollisti i Prishtinës e Partizanit të Tiranës, Behar Maliqi i cili e pranon se lufta do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

“Sigurisht që rruga do të jetë e vështirë pasi rivalë të mëdhenj do t’i kemi Prishtinën, Feronikelin, Dritën, Gjilani e Ballkanin skuadra që kanë investuar mirë dhe kanë punuar shumë. Pra cilësia është e barabartë kështu që pres një kampionat shumë të fortë”, ka përfunduar Behar Maliqi.