Behar Maliqi: Gjyqtari nuk ishte për këtë ndeshje

Behar Maliqi, njëri nga dy të ndëshkuarit me kartonin e kuq në ndeshjen Vëllaznimi – Feronikeli (0:0), nga gjyqtari Burim Jahmurataj, thotë se ky gjyqtar nuk ishte për ndeshje të tillë.

Mesfushori i Feronikelit dyshon se gjyqtari kishte një prapavijë tjetër. Jahmurataj në minutën 82 ndëshkoi me kartonë të kuq Maliqin e Isa Eminhazirin, për shkak të protestave, të cilët kërkon sqarime për mosakordimin e një fauli pranë zonës së rreptësisë.

“Gjyqtari nuk ishte për këtë ndeshje. Atij i doli loja prej dorës dhe nuk e kishte kriterin e njëjtë gjatë ndeshjes. Është munduar vetëm me karton të qetësojë ndeshjen”, thotë Maliqi për GazetaOlle.com.

Ai tregon ngjarjen e rrëmujës. “Së pari nuk e bëri faul që ishte për ne, Isa Eminhaziri i tha anësorit përse nuk po e ngrit flamurin për faul, ai e thirri kryesorin dhe e ndëshkoi direkt me kartonin e kuq. Pastaj kemi protestuar ne dhe më ka ndëshkuar mua direkt me të kuqin”, sqaron Maliqi.

Sipas tij, që në 10 minutat e parë i doli gjyqtarit loja nga dora. “Unë flas vetëm atë që shoh. Ai në këtë rast nuk e kishte kriterin e njëjtë. Më ndëshkoi mua me qëllim, edhe pse nuk isha i vetmi që protestova me të drejtë për kartonin e Eminhazirit. Gjyqtari nuk e kishte lojën nën kontroll në asnjë moment. Nëse kryesori dhe anësori e kanë pasur me tendencë, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, theksoi ish-lojtari i Partizanit të Tiranës e Prishtinës.
Gjyqtari kryesor mori notën 3.5, anësori i parë Erduan Baliqi 3, kurse Bekim Rama, anësor i tretë, 3.5. “Nëse këta dy e kanë merituar 3.5 dhe 3, gjyqtari i tretë e ka merituar 10”, përfundoi Maliqi. (Gazeta Olle)