Behar Maliqi: Do të rikthehemi shumë shpejtë në vendim e parë

“Kundërshtarët tanë në luftë për titull e kanë nisur mirë kampionatin, por unë them se ata kanë pasur më shumë fat dhe se nuk do ta mbajnë gjatë këtë ritëm. Tash fillojnë ndeshjet e vështira dhe e shohim si do të reagojnë”, ka thënë Behar Maliqi

Feronikeli nuk e ka nisur aspak mirë pranverën, duke e humbur pozitën e parë, madje pas vetëm tri xhirove të zhvilluara. Megjithatë, tabori i kësaj skuadre duket i qetë pasi e njeh shumë mirë potencialin që ka dhe sikur është i bindur se shumë shpejt do të kthehet aty ku ishte para një jave. Mesfushori më i mirë në futbollin tonë, Behar Maliqi, i Feronikelit, e pranon se starti i skuadrës së tij nuk ishte i mirë, por që nuk duhet të entuziazmohemi shumë edhe nga skuadrat e kreut, pasi ato ishin më fat në disa ndeshje dhe se këtë ritëm nuk do të mund të mbajnë gjatë. Të kujtojmë se aktualisht elitës së futbollit po i prin Hajvalia, e ndjekur nga Gjilani, ndërsa tek në pozitën e tretë është Feronikeli. Analistët tash për tash Hajvalinë po e cilësojnë si skuadrën më të fortë dhe stabile, por kështu nuk mendon ish-futbollisti i Prishtinës dhe Partizanit të Tiranës, Behar Maliqi, pasi thotë se në vazhdim vijnë ndeshjet e forta dhe atëherë shihet cilësia e tyre, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

Image

Feronikeli kthehet shpejt 

Tri ndeshje katër pikë të tubuara nuk është statistikë e mirë për një skuadër kampione, siç është Feronikeli, e cila edhe gjatë përgatitjeve u dallua nga klubet e tjera, duke u transferuar në Antalia të Turqisë për 10 ditë, derisa rivalët e tij ushtronin në Shqipëri. Gjithsesi, sipas futbollistëve të “Niklit” nga ky start nuk duhet mashtruar shumë, pasi ekipi u përballë me disa lëndime dhe natyrisht se kjo ndikoi.”Është e vërtetë që ne nuk e kemi nisur mirë garën, por shumë shpejt do ta kthejmë formën tonë dhe natyrisht do të ngjitemi në pozitën e parë, aty ku edhe e meritojmë. Gjithsesi, synimi ynë i vetëm është të shpallemi kampion dhe jam i bindur që këtë objektiv do ta arrijmë”, ka thënë Maliqi, i cili i mungoi shumë skuadrës së tij në ndeshjen e fundit, kur u mposhtën nga Besa me rezultat 2:1. Maliqi në këtë sfidë nuk mundi të luajë për shkak të lëndimit dhe pritet që nga kjo fundjavë të rikthehet në fushë.

 

Rikthimi i Zhdrellës entuziazmon skuadrën 

Njëri nga futbollistët më të mirë të pasluftës, Mentor Zhdrella, nuk mundi ta ndihmojë skuadrën sivjet asnjë minutë, për shkak të një operimi që bëri në këmbë. Zhdrella dje ka qenë njëri nga lajmet më të mira të ekipit të Feronikelit, pasi iu bashkua stërvitjeve, ndërsa bashkë me të u rikthye edhe Maliqi, kjo dyshe e frikshme për çdo kundërshtar. Sipas Maliqit, kampionët ngadalë do ta kthejnë formën që kishin dhe se pikërisht nga kjo kohë edhe fillojnë ndeshjet e vështira për skuadrat e kreut, kështu që ai është i bindur se nuk do të mund të mbajnë gjatë këtë ritëm.”Rivalët tanë e kanë nisur më mirë se ne, por unë them se ata kanë pasur edhe fat dhe nuk besoj se do ta mbajnë gjatë këtë ritëm. Tash fillojnë ndeshjet e vështira dhe e shohim si do të reagojnë. Sa i përket skuadrës sonë ne jemi të sigurt se vetëm do të rritemi në vazhdim”, ka përfunduar Maliqi. Të kujtojmë se “Nikli” në fundjavë llogaritet të ketë një ndeshje të lehtë, pasi për kundërshtar ka Vushtrrinë, ekip ky që ende nuk e ka shijuar fitoren në këtë stinor dhe se nga njohësit e futbollit po cilësohet si skuadra më e rrezikuar për largim. Në anën tjetër, liderin e tabelës, Hajvalinë, e pret një udhë- tim shumë i vështirë në fundjavë, kur ndeshet me Llapin, ekip ky që dita-ditës po e rrit ndeshjen e vet dhe me të drejtë cilësohet si një nga udhëtimet më të vështira të Hajvalisë në këtë stinor. Gjithsesi, ajo që mund të konkludojmë në këtë fillim është se kampionati është shumë i vështirë dhe se deri në fund do të jetë shumë e vështirë të dihet se kush mund të ngadhënjejë në këtë garë, e cila po cilësohet si më e vështira e pasluftës.