Begolli injoron Ballkanin, Prekazi ia kujton vitet e dështuara të Prishtinës

Drejtori i Prishtinës, Granit Begolli, ka insistuar se përballja e fundjavës mes Prishtinës dhe Ballkanit nuk është derbi, pasi që Ballkani s’ka shumë histori për dallim nga Prishtina.

Mirëpo, qendërmbrojtësi i klubit nga Suhareka, Arbër Prekazi, ia ka përmendur Begollit që Prishtina s’e ka fituar titullin që nga viti 2013.

Të shtunën në orën 15:00 në kryeqytet, stadiumi “Fadil Vokrri” pritet ta grumbullojë një numër të madh të tifozëve, të cilët kanë shprehur interesim të madh për ta ndjekur nga afër përballjen mes Prishtinës dhe Ballkanit, raporton Gazeta Express.

Kjo pasi që derbi i xhiros së 20-të të Ipko Superligës së Kosovës do t’i përballë mes vete dy konkurrentët për titullin e kampionit të këtij sezoni.

Klubi më i trofeshëm në histori të Kosovës, Prishtina, s’e ka fituar titullin e kampionatit kosovar që nga viti 2013, mirëpo drejtori i Prishtinës nuk mendon se përballja kundër Ballkanit është e denjë për t’u quajtur derbi, pasi që klubi nga Suhareka po shfaq formë të mirë vetëm këtë sezon, përderisa sezonin e kaluar luftonte për mbijetesë.

“Po më pengon që çdo vit po flasim për derbi edhe gjithmonë ekipi tjetër po ndërrohet, por po e kemi vetëm Prishtinën.Nuk është derbi me cilido ekip që po bëhet i mirë në një sezon”, ka thënë Begolli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Nuk është derbi përballja me Ballkanin, është thjesht ndeshje e rëndësishme. Ballkani sezonin e kaluar luftoi për mbijetesë, ndërsa këtë sezon është në formë. S’po them që s’është ndeshje e vështirë, por s’është derbi”.

Prekazi ia ktheu duke e përmendur rastin e Chelseat në Angli si shembull:

“Unë vetëm po e përmend Chelsean, që është klub i ri por ndeshjet me ekipet e mëdha konsiderohen derbi sepse derbit kultivohen e nuk lindin. Prishtina s’ka fituar që tetë vjet titull, ndërsa për shembull Feronikeli në këto vitet e fundit ka fituar tituj të kampionatit e të kupës”.

Begolli e pranoi se Prishtina nuk ka fituar titull në këto vitet e fundit, por shtoi:

“Është e vërtetë që s’kemi fituar titull, por shikojini ato sezone. Kemi qenë në vendin e dytë dhe shumë afër titullit”.

Pas një përfshirjeje në debat nga ana e ndihmëstrajnerëve tëtë dyja skuadrave, Debatik Currit dhe Agim Maliqit, Prekazi e mbylli debatin duke thënë:

“Unë e konsideroj këtë jo vetëm derbi, por superderbi. Por, dashtë Zoti të mos jetë derbi dhe ne të kalojmë sa më lehtë”.