Befason trajneri i Kosovës: Ka raste kur prindi dëshiron që djali t’i luajë për Kosovën, por djali jo

Trajneri i Kombëtares së Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi, i ka rrëfyer pengesat me të cilat është përballur me skuadrën e tij, duke i treguar rastet kur prindi i një futbollisti dëshironte që djali t’i luajë për Kosovën, por futbollisti preferonte Kombëtare tjetër.

Të ftuar në studion e emisionit “Favorit” sot janë ish-futbollisti e trajneri i ri, Muhamet Dragusha, dhe trajneri i ekipit kombëtar U-10 të Kosovës, Ramiz Krasniqi, raporton Gazeta Express.

Duke folur për punën e tij me ekipin kombëtar U-19 të Kosovës, Krasniqi i rrëfeu edhe disa probleme me të cilat po përballet kjo grupmoshë, duke shtuar se është i lumtur që shumë lojtarë po e zgjedhin Kosovën para Kombëtareve të tjera.

“Po shkon mjaft mirë, por ne e kemi një problem mjaft të madh sepse po duhet çdo vit ta ndryshojmë gjeneratën – një gjeneratë shkon e vjen tjetër, maksimumi është një vit. Natyrisht se ka ndryshime sepse te vjen një gjeneratë e mirë e një pak më e dobët”, tha Krasniqi në “Favorit”.

“Ne po mundohemi ta krijojmë një skuadër dhe sigurisht se do të jenë pjesë e skuadrës të gjithë futbollistët që janë në formë. Kemi probleme nga jashtë, përveç në datat e FIFA-s kur klubet janë të detyruara t’i lëshojnë lojtarët për ekipet kombëtare”.

“Çdo kosovar duhet ta dojë shtetin e vet dhe të sakrifikohet edhe nëse ka oferta më të mira, në Zvicër ose Gjermani ose diku tjetër. Shqipëria pothuajse është i njëjti vend. Por, dëshira e tyre, dashuria e tyre ndaj atdheut e ka sjellë Kosovën në këtë pozitë”.

Image result for ramiz krasniqi

“Kemi pasur lojtarë që luajnë në klube të mira… ata kanë pasur oferta edhe nga Kombëtare të tjera, mirëpo kanë këmbëngulur të mbeten në Kosovë. Për mua kjo është diçka fantastike”.

“Kam pasur edhe përvoja të hidhura, kur prindi ka dashur që djali i tij të vijë në Kosovë, ndërsa djali ka dashur të shkojë në një Kombëtare tjetër. Unë automatikisht kam thënë jo, unë nuk do ta marr. Unë dua që djali të dëshirojë të vijë, e ju jo”.

Për herë të fundit, ekipi kombëtar U-19 i Kosovës u grumbullua për herë të fundit në fillim të shtatorit, në përgatitje për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian U-19, në grup të së cilës Kosova përballet me Rusinë, Poloninë dhe Uellsin.