Befason Duka: Në Kosovë më shumë përkrahet sporti se në Shqipëri

Armand Duka këtë herë ka folur hapur dhe ka një mesazh të qartë për qeverinë: sporti dhe futbolli në veçanti kanë nevojë për mbështetje.

Duhen paketa fiskale dhe infrastrukturë, që janë premtuar në të shkuarën. Gjithsesi politika dihet që këtë ka pikën më të fortë, premtimet.

Kreu i FSHF-së sjell edhe shembuj, madje nuk shkon shumë larg: Kosova. Vëllezërit tanë përtej Drinit kanë një buxhet shumë më të madh se ne, ndërkohë që për shembullin hungarez t’u flasësh pushtetarëve tanë është e vështirë. Duka e ka lëshuar gjysmë fjale, gjithsesi, ka thënë ai në një intervistë për “ABC News”.

“Politika kosovare e mbështet sportin më shumë se politika shqiptare, madje në mënyrë strategjike dhe jo në mënyrë spontane. Buxhetet që ka Kosova, qoftë dhe buxhetet për financimin e sporteve, janë 10 ose 20 herë më të mëdha se Shqipëria. Ajo paketë fiskale, që për mua nuk është e plotë, që ka, duhet të jetë dhe më e mirë e Kosovës”, deklaroi Duka, transmeton Gazeta Olle.

“Hungaria i detyron kompanitë, shoqëritë e biznesit, të shkojnë të bien dakord me një nga federatat e 4 sporteve prioritare dhe të investojnë nga fitimet e tyre. Kjo pjesë zbritet nga Tatimet. Në tre-katër vitet e fundit janë shifra marramendëse të investuara. Janë ndërtuar fusha futbolli pa fund dhe do ketë ndryshime”.