Befason Cikalleshi: Me turqit jemi vëllezër

Sokol Cikalleshi është prezantuar zyrtar isht si sulmues i Instanbul Basaksehir. Bomberi i Kombëtares, që shkëlqeu në sezonin e tij të parë me RNK Split në Kroaci, ka zgjedhur që të vazhdojë aventurën e tij për katër vitet e ardhshme me Instanbul Basaksehir, ku do të përfitojë 500 mijë euro në sezon, shkruan “Panorama Sport”. 

Ditën e djeshme, Cikalleshi ka hedhur firmën mbi kontratë dhe gjithashtu është prezantuar nga drejtuesit më të lartë të klubit turk. Autori i 13 golave të shënuar me RNK Split, ka bindur trajnerin që e ka ndjekur edhe në ndeshjet me Kombëtaren dhe në Kroaci, si dhe drejtuesit që kanë paguar rreth 2 milionë euro për kartonin e tij. Në fjalën e tij gjatë prezantimit, sulmuesi falënderon trajnerin dhe drejtuesit e klubit për besimin që i kanë dhënë. “Jam shumë i lumtur për këtë kalim.

Më vjen mirë që trajneri më ka ndjekur në disa ndeshje dhe që ka besuar tek unë. Dua të falënderoj gjithashtu edhe drejtuesit e klubit, që kanë bërë të mundur edhe transferimin tim këtu”, është shprehur fillimisht sulmuesi kavajas. Më tej, Cikalleshi është shprehur se pret që të jetë në lartësinë e objektivave të klubit. Ai garanton se do të bëjë maksimumin për të arritur suksese në ndeshjet që skuadra do të luajë në arenën europiane si dhe në kampionatin turk. “Zgjodha këtë skuadër, sepse më bindi projekti dhe vizioni që kanë për të ardhmen.

Është një ekip që synon majat në kampionat dhe që të bëjë më të mirën edhe në ndeshjet europiane dhe prandaj jam këtu. Do të mundohem që të shënoj akoma më shumë sesa në Kroaci. Turqia është një vend i afërt me Shqipërinë dhe me shumë gjëra të përbashkëta, ndaj mendoj se do të përshtatem shumë mirë dhe do të jem në lartësinë e ekipit”, ka deklaruar Cikalleshi gjatë konferencës për shtyp në prezantimin e tij me skuadrën e re.