Beba te Prishtina

Prishtina ka bërë përforcimin më adekuat për edicionin e ri jo vetëm për në Superligën e Kosovës, por edhe për garat evropiane. Kanë angazhuar hendbollisten më të mirë në Kosovë, Bellma Beba, e cila është shqiptare nga Gostivari i Maqedonisë.

Ka ditë që ishte paralajmëruar nga disa burime brenda klubit ferizajas se anëtarja e kombëtares së Kosovës, Bellma Beba, i ka të numëruar ditët në KHF Kastrioti, por pa dhënë detaje të tjera.

Ajo i bashkohet kampiones dhe fitueses së Kupës së Kosovës, Prishtinës.  Prishtina me Bebën është shumë më e fortë dhe e cila në garat evropiane ka për rivale Spono Eagles nga Zvicra.

Beba i  falënderohet Kastriotit dhe premton shumë për Prishtinën. “I njoftoj të gjithë dashamirët e hendbollit, që nga sot nuk jam më anëtare e KHF Kastriotit, por kam nënshkruar kontratë me KHF Prishtinën, kampion dhe fitues aktual i Kupës së Kosovës, i udhehëqur nga kryetari z. Nebih Zariqi.

Me këtë rast dua ti falënderohem gjithë qytetit të Ferizajt ku i kalova mbas 6 vite të shkëlqyshme dhe me bashkëlojtaret e mija qytetit i dhuruam 4 kupa dhe 3 tituj të kampionit të Kosovës.

I falënderohem edhe tifozëve ‘Ujqit’ të cilët na përkrahen gjatë gjithë këtyre viteve po ashtu edhe bashkëlojtareve të mia me të cilat i ndam të gjitha këto gëzime.

Veçanërisht i falënderohem kryetarit z. Ahmet Petrova për punën e tij të palodhshme, kujdesin, respektin dhe përkrahjen e tij që na dha përderisa ishte në krye të klubit.

Trajnerin Xhavit Morina i cili përveç punës profesionale ishte pedagog i vërtet duke na motivuar për çdo ndeshje. Hajrie Osmani e cila na ka mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve.

Dhe anëtarë tjerë të kryesisë si Refik Sadriu, Milazim Salihu dhe Beqir Buqinca.

Klubit të KHF Kastriotit i dëshiroj suksese, ndërsa me klubin tim të tanishëm besoj që do të sjellim gëzime dhe suksese në arenën ndërkombëtare dhe do ti mbrojm kupat dhe titujt në vazhdimësi”, shkruan Beba në profilin e saj në facebook.

Një fakt duhet theksuar se Prishtina është përforcuar shumë dhe do të jetë kandidati kryesor për të gjitha trofetë. Në anën tjetër në klubin e Kastriotit ka ndryshime të mëdha sidomos kryetari i ri Faton Haxhisalihu ka emëruar kryetrajnere të re, Vlora Jasharin, ish-hendbollisten e dëshmuar.

Një burim jozyrtar brenda klubit ferizajas bënë të ditur se largimi i Bebës ka të bëj se iu është shkurtuar asaj edhe paga pothuajse për 50 për qind.

Një gjë tillë as nuk pohohet e as nuk mohohet nga klubi ferizajas. Në anën tjetër, Kastrioti paralajmëron përforcime, ndërsa Prishtina ka mendjen ti mbrojë trofetë dhe të luftojë edhe për rezultate të lakmueshme në garat evropiane.

Loading...