Bayerni thërret në biseda talentin e Kosovës dhe Gjermanisë

Enis Bunjaki. – Ky emër mund të bëhet pasardhësi i Xherdan Shaqirit në Bayern Munich. Janë vetë drejtuesit e klubit bavarez që kanë kontaktuar familjen Bunjaki, dhe të cilët i kanë ftuar në takim.

Lajmin e konfirmon babai i lojtarit, Ibush Bunjaki.

Por kush është Enisi. Ai është 17-vjeçar, që luan me grupmoshat e reja të Eintracht Frankfurtit, por që vitin e kaluar dhe këtë dimër u grumbullua edhe nga ekipi i parë i Frankfurtit.

Ai për momentin luan me Gjermaninë U-18, kurse vitin e kaluar ishte lojtari më i ri i Kosovës në të gjitha miqësoret e zhvilluara.

Bunjaku tregon për GazetaOlle.com, ftesën e Bayernit. “Bayerni më ka ftuar në takim, i cili do të zhvillohet javën e ardhshme në Munich. Kontaktet vijnë pas ndeshjeve të mira të zhvilluara me Gjermaninë U-18. Unë do të jem bashkë me menaxherin e Enisit”, deklaroi Bunjaku për GazetaOlle.com, duke treguar se për momentin Enisi ka ende kontratë me Frankfurtin.

Pikërisht të martën Enisi shkëlqeu për Gjermaninë. Ai realizoi njërin nga dy golat e fitores ndaj Uellsit, në ndeshjen miqësore para Kampionatit Evropian U-19. Enisi barti numrin 10 në fanellë. (Gazeta Olle)