Batatina: Prishtina le ta dijë se Llapi e do Kupën

Llapi – Prishtina. Kjo është një nga ndeshjet më interesante të ‘Digitalb Kupës së Kosovës’ në futboll.

Sfida në fjalë do të zhvillohet nesër duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.

Trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina ka thënë para ndeshjes se ka besim të plotë në ekipin e tij. “Pasi që Llapi tash e 12-vite nuk ndeshet me skuadrën e Prishtinës, besoj që nesër do të jetë një sfidë me rivalitet dhe me frymë sportive. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë takim dhe i kemi bërë përgatitjet e duhura. Besoj se nesër do të dëshmojmë se Llapi e ka ekip serioz dhe kapacitet për ta ndjekur Kupën dhe kampionatin në Ligën e Parë, e ku na pret një punë e madhe pasi që dihet se e synojmë Superligë”, ka thënë për Gazetën ‘Olle’, Tahir Batatina.

“Prishtina le ta dijë mirë se Llapi do ta bëjë një ndeshje të fortë sepse djelmoshat llapjanë e duan Kupën dhe kemi punuar shumë për këtë sfidë”, shtoi ‘timonieri’ llapjan.

Ai pretendon se e njeh shumë mirë ekipin e Prishtinës, të drejtuar nga Bylbyl Sokoli. “Prishtinën e njoh mirë në të gjitha aspektet, si teknike ashtu edhe taktike”, përfundoi Tahir Batatina.