Batatina: Ky është mesazhi im për ata që mendojnë se Llapi nuk lufton për titull

Lideri Ballkani e pret Llapin e Tahir Batatinës në Therandë me synimin e vetëm, që ta vazhdojë ecurinë pozitive me fitore dhe ta forcojë kreun e tabelës.

Ballkani vjen pas fitores së arritur ndaj Feronikelit në fushën e kësaj të fundit me rezultat 2:0.

Nga ana tjetër, Llapi pas fitores ndaj Drenicës shpreson në rezultat pozitiv për të mbetur në garë për titullin kampion.

Trajneri i Llapit Tahir Batatina mendon se gara për titull ende nuk ka mbaruar, ani pse skuadra e tij renditet gjashtë pikë larg vendit të parë në tabelë.

“Ne shkojmë dhe luajmë si në çdo ndeshje tjetër. Kampionati është i gjatë dhe nëse dikush mendon se lufta për titull ka mbaruar, atëherë gabon shumë. E respektojmë Ballkanin, por do ta japim më të mirën për rezultat pozitiv”, është shprehur Batatina për gazetën “Zëri”.

Ballkani para ndeshjes ndodhet e para me 29 pikë, kurse Llapi zë vendin e pestë me 23 sosh.

Ndeshja nis në ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Therandë.